Rasti i 34-vjeçares, regojnë “Burgjet”: Foshnja 11-muajshe u akomodua sipas ligjit pranë nënës së dënuar

22 Korrik 2026 | 12:32

Një foshnjë 11-muajshe ka hyrë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë për të qëndruar pranë nënës së saj, e cila po vuan një dënim prej dy muajsh burg.

34-vjeçarja u arrestua një ditë më parë, sapo mbërriti në aeroport nga Gjermania, për të ekzekutuar një vendim të formës së prerë të vitit 2023 për veprën penale “Dhunë në familje” ndaj vjehrrit të saj.

Sipas familjarëve, ajo është nënë e tre fëmijëve të mitur. Njëri prej tyre është 4 vjeç dhe ka probleme shëndetësore, i dyti 2 vjeç, ndërsa më i vogli, vetëm 11 muajsh, është akomoduar në ambientet e burgut për të mos u ndarë nga nëna.

Pas publikimit të rastit, ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila sqaron se akomodimi i foshnjës është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi, që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës.

Sipas njoftimit, gjatë procedurave të pranimit, e dënuara ushtroi të drejtën e parashikuar nga Ligji nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” dhe nga Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.

Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja u akomodua në ambiente të posaçme, jashtë regjimit të brendshëm të burgut, të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre.

Për nënën dhe foshnjën, sipas Drejtorisë së Burgjeve, është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, që përfshin kujdes shëndetësor, ushqim sipas nevojave, mbështetje psikologjike dhe sociale, ndërsa zbatimi i tij monitorohet nga stafi multidisiplinar i institucionit.

Ndërkohë, në burgun e Pojskës ka zhvilluar një vizitë edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani, i cili bëri të ditur se institucioni ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar mënyrën se si është zhvilluar procedura e burgosjes së 34-vjeçares.

Sipas Shabanit, po shqyrtohet nëse janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, duke qenë se gruaja është nënë e tre fëmijëve të mitur dhe vendimi gjyqësor ka marrë formë të prerë 49 ditë më vonë, rrethanë që, sipas tij, mund t’i kishte krijuar mundësinë të përfitonte nga amnistia.

Ai deklaroi se, nëse hetimi evidenton shkelje, do të kërkohet marrja e masave ndaj përgjegjësve.

Shabani bëri me dije gjithashtu se ditën e enjte pritet të zhvillohet një seancë gjyqësore për rivlerësimin e dënimit të 34-vjeçares, duke shprehur shpresën se ajo mund të lirohet përpara mesditës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Qiraxhi analizon reagimin e Ramës: Pse protesta ka vënë përballë përgjegjësisë të gjithë klasën politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” analizoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të grupit...
22:19 | 24/07/2026

Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, gazetari Armir Shkurti shpjegoi rolin dhe funksionimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, duke hedhur poshtë akuzat se...
22:06 | 24/07/2026

Gazetarja sjell detajet nga Roskoveci, nesër ceremonia mortore për Kosta dhe Belere Plakun

Gazetarja Laureta Roshi ishte në një lidhje live për emisionin “Review” me Greta Topjanën, ku solli detaje nga ngjarja tragjike e kësaj të premteje në...
21:27 | 24/07/2026