English

Roli i USAID-it dhe përse kërkohet mbyllja e kësaj agjencie?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Dhjetëra zyrtarë të lartë janë dërguar me leje të detyruar. Mijëra kontraktorë janë shkurtuar. Një ngrirje e fondeve ka pezulluar ndihmat prej miliarda dollarësh për vendet e tjera.

- Advertisement -

Gjatë dy javëve të fundit, administrata e Presidentit Donald Trump ka bërë ndryshime të konsiderueshme në agjencinë amerikane që menaxhon ndihmat humanitare për vendet e tjera. Kjo i ka lënë organizatat e ndihmave në pikëpyetje nëse mund të vazhdojnë me programet, si p.sh. ndihmat ushqimore për foshnjet e kequshqyera dhe për fëmijët, shkruan VOA.

Duke folur me gazetarët në El Salvador, Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha të hënën se:

“Jam unë ushtruesi i detyrës së drejtorit të USAID-it. Ia kam deleguar këtë autoritet dikujt, por qëndroj në kontakt me të. Dhe sërish, qëllimi ynë ishte të angazhoheshim për ta përafruar ndihmën tonë për vendet e tjera me interesin kombëtar”.

“Zhgënjimi im me USAID-in daton që nga koha ime në Kongres. Është një agjenci që nuk ka aspak llogaridhënie. Duhet t’u përgjigjet direktivave të politikave të Departamentit të Shtetit dhe refuzon ta bëjë këtë”.

“E thashë shumë qartë që gjatë seancës time të konfirmimit, se çdo dollar që shpenzojmë dhe çdo program që financojmë do të jetë në përputhje me interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Dhe USAID-i vazhdimisht e ka injoruar këtë dhe ka vendosur që të jetë një organizatë globale bamirësie, e ndarë nga interesi kombëtar. Këta janë dollarë të taksapaguesve, dhe kështu unë jam shumë i shqetësuar nga këto njoftime se ata nuk kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë me njerëz që po bëjnë pyetje të thjeshta se çfarë bën ky program? Kush i merr paratë? Kush janë kontraktorët tanë? Kush financohet, dhe një lloj i tillë mosbindjeje e bën të pamundur kryerjen e një lloji rishikimi të pjekur dhe serioz, që mendoj se duhet ta ketë ndihma për vendet e tjera”.

“USAID-i nuk është një entitet i pavarur joqeveritar. Është një entitet që shpenzon dollarët e taksapaguesve dhe duhet t’i shpenzojë, siç thotë statuti, në përputhje me direktivat e politikave që ata marrin nga Sekretari i Shtetit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Presidenti”, tha Sekretari Rubio.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, ish-Presidenti John F. Kennedy themeloi Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, të njohur si USAID. Në dekadat në vazhdim, republikanët dhe demokratët kanë debatuar në lidhje me agjencinë dhe financimin e saj.

Le t’i hedhim një vështrim USAID-it, historikut të tij dhe ndryshimeve të bëra që kur mori detyrën Presidenti Trump.

Çfarë është USAID-i?

Ish-Presidenti Kennedy e krijoi USAID-in në kulmin e Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik. Ai dëshironte një mënyrë më efikase për t’iu kundërvënë ndikimit sovjetik në skenën ndërkombëtare, nëpërmjet ndihmave për vendet e tjera, një funksion për të cilin Departamenti i Shtetit iu duk më burokratik se ç’duhej.

Kongresi miratoi Ligjin për Ndihmën e Jashtme dhe ish-Presidenti Kennedy krijoi USAID-in si një agjenci të pavarur, në vitin 1961.

USAID-i vazhdoi të funksionojë edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Në ditët e sotme, mbështetësit e USAID-it thonë se ndihma e USAID-it në vendet e tjera, i kundërvihet ndikimit të Rusisë dhe Kinës. Kina ka programin e saj “Një Brez Një Rrugë” për ndihmat për vendet e tjera dhe ushtron aktivitet në shumë vende që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i kenë partnere.

Kritikët thonë se programet janë një shpërdorim dhe nxisin një axhendë liberale.

Çfarë po ndodh tani me USAID-in?

Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, Presidenti Trump vendosi një ngrirje 90-ditore të ndihmave për vendet e tjera. Katër ditë më vonë, Peter Marocco, i emëruar politik që nga administrata e parë Trump, hartoi një interpretim më të ashpër se ç’pritej të këtij urdhri, duke mbyllur mijëra programe në mbarë botën, duke shkaktuar shkurtime dhe shkarkime.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka ndërmarrë hapa për të ruajtur funksionimin gjatë ngrirjes, të disa programeve të emergjencës që shpëtojnë jetë njerëzish. Por konfuzioni se cilat programe përjashtohen nga urdhrat për ndalimin e punës dhe frika se mund ta humbasin përgjithmonë ndihmën amerikane, ka ndalur punën për ndihmat dhe zhvillimin në mbarë globin.

Dhjetëra zyrtarë të lartë janë larguar me leje të detyruar, mijëra kontraktorë janë shkurtuar dhe punonjësve iu tha të hënën të mos hyjnë në selinë qendrore në Uashington. Dhe faqja e internetit e USAID-it dhe llogaria e saj në platformën X nuk janë funksionale.

 

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?