Rregullat e reja të peshkimit, debat mes zv. Ministrit dhe peshkatarit

4 Maj 2022 | 09:43

Tre mijë lekë në muaj duhet të paguajë një peshkatar amator, që del për të peshkuar kryesisht për synim çlodhës e argëtues.

Ministria e Bujqësisë ka vendosur që këta peshkatarë nuk mund të mbajnë më shumë se dy kallama, jo më shumë se tre grepa për kallam dhe nuk mund të kapin më shumë se 5 kile peshk.

Kërkesa për pajisjen me autorizim për peshkim çlodhës-argëtues kryhet në e-Albania.

Por, a është konsultuar Ministria e Shëndetësisë me shoqatat e peshkimit çlodhës dhe argëtues për këto rregulla?

Zv. ministri i Bujqësisë, Roland Kristo thotë se nuk ka qenë në dijeni të ekzistencës së këtyre shoqatave dhe se “janë konsultuar me shoqatat e peshkatarëve profesionistë”, të cilët nuk e dinë specifikisht se si funksionojnë llojet e tjera të peshkimit.

Për peshkatarin Saimir Kapidani nga shoqata Shoqata e Peshkimit Sportiv dhe Rekreativ kjo është e patolerueshme, pasi rregullat e reja nuk janë të arsyeshme për peshkatarët amatorë.

Ai bëri me dije se në vendet europiane që kanë vijë bregdetare nuk aplikohet tarifë për këtë lloj peshkimi.

“Në cilin vend të botës e keni marrë këtë model? Në Evropë, vende si Itali, Greqi, Qipro, një peshkatar nuk paguan tarifë për të peshkuar në vijën bregdetare. Në disa vende ka kufizime për lumenjtë e liqenet, por jo në vijën bregdetare”, u shpreh ai.

Kapidani thotë se peshkatarët amatorë janë ata që e mbrojnë bregdetin në Shqipëri nga dëmtimi me rrjeta, dinamit e derdhjet e lumenjve, e megjithatë paguajnë tarifë më të lartë se  barkat e vogla të peshkimit.

“Një barkë peshkimi që kryen një punë e janë pa licencë paguajnë 5000 në vit, ndërkohë që dëmi ekologjik është i madh”, tha ai.

Kapidani theksoi se barkat e peshkimit pa licencë kryejnë aktivitet të paligjshëm “duke lëshuar me mijëra kilometra rrjeta në ditë, e duke përdorur dinamit e lëndë të tjera” që e dëmtojnë mjedisin.

“Barkat e vogla po shkatërrojnë bregdetin e Shqipërisë”, theksoi Kapidani.

Zv. Ministri pohoi se ky problem qëndron, e se “do të vijnë dy anije patrulluese në funksion të inspektoriatit”, por nuk dha asnjë shpjegim se pse tarifa e peshkatarëve çlodhës është 31.000 të reja më shumë në vit.

Saimir Kapidani tha se peshkatarët nuk janë kundër pagesave e zbatimit të ligjit, por theksoi se Ministria duhet të bënte luftë kundër peshkimit të paligjshëm.

“Keni gjetur anën e gabuar për të luftuar”, iu drejtua ai zv. Ministrit, ndërsa tha se nuk ka shpresë se në Shqipëri mund të ndryshojë diçka për mirë, edhe nëse ka reagime pas vendimeve të tilla “të pa arsyeshme”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SPAK njoftim zyrtar: Goditet grupi i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, mes të dyshuarve edhe biznesmenë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me finalizimin e një operacioni të gjerë ndërkombëtar,...
19:24 | 12/06/2026

Rama reagon sërish: Shënim i detyruar për ata që po shfrytëzojnë protestat për të rritur ndjekësit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj asaj që në rrjetet sociale po etiketohet si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje proteste kundër projekteve të zhvillimit në...
21:38 | 07/06/2026

“Jam i lodhur nga telenovela Veliaj”, Hasimja: Sa më e gjatë bëhet, aq më shumë lodhen njerëzit

Politologu Ermal Hasimja komentoi në emisionin Now në Euronews Albania vendimin e Gjykatës së Lartë që hodhi poshtë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj...
21:37 | 28/05/2026