Rutte: Jemi ende në pritje të llogaridhënies nga Beogradi për ngjarjet në Banjskë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ia ka kujtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se aleanca ende po pret përcaktimin e përgjegjësisë për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 2023.
“Unë personalisht, por edhe si përfaqësues i NATO-s, jam në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Ne ende po presim llogaridhënien e tij për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjska dhe ngjarjet e tjera në vitin 2023. ”, tha Rutte.
Kërkesë të ngjashme për përcaktimin e përgjegjësisë për Banjskën, sekretari Rutte bëri në fund të janarit. Ai shtoi se NATO-ja, përmes misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i ndjek me kujdes të gjitha zhvillimet në Kosovë.
Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke vrarë një polic. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serb.
Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.
Kosova kërkon ekstradimin e tij, pasi Prokuroria Speciale veçse ka ngritur një aktakuzë për këtë rast dhe Radoiçiç është pjesë e aktakuzës.
Ndërkaq, sa i përket situatës në Bosnjë e Hercegovinë, ai ka përsëritur se nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në këtë shtet.
Rutte këto deklarata i bëri në prag të takimit të paraparë të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të mbahet të enjten, më 12 shkurt. Ministrat do të diskutojnë për mbështetjen ushtarake për Ukrainën, që po përballet me luftën e nisur nga Rusia pothuajse pesë vjet më parë.
“[Presidenti rus, Vladimir] Putini po përpiqet ta thyejë popullin e Ukrainës, duke shpresuar se do ta dobësojë vendosmërinë e tyre. Por, populli ukrainas ka treguar shumë herë se nuk do të thyhet”, ka theksuar Rutte.
Ndryshe, ky do të jetë takimi i dytë i ministrave në të cilin nuk marrin pjesë sekretarë nga Shtetet e Bashkuara.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, në Bruksel ka dërguar zëvendësin e tij, Elbridge Colby. Në dhjetor të vitit të kaluar, në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të aleancës, po ashtu mungoi sekretari i shtetit Marko Rubio.
Sekretari Rutte, tha se nuk e sheh këtë si shenjë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më të përkushtuara ndaj aleatëve.
“Nuk besoj aspak në këtë. Duhet të them se bisedat dhe kontaktet e mia me udhëheqjen e lartë amerikane, qoftë me Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin apo Departamentin e Shtetit, janë po aq intensive sa gjithmonë. Këta njerëz veprojnë në mbarë botën. Natyrisht që NATO-ja është e rëndësishme, por ata gjithashtu duhet të veprojnë në hemisferën perëndimore dhe në Paqësor, prandaj e kuptoj plotësisht që ministrat më të lartë nuk mund të jenë gjithmonë këtu”, tha ai./ REL
KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë
Fëmijë shqiptarë nga rajoni i Kumanovës mund të mbesin pa shkollë fillore
Në Prishtinë shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës
- 19:50 Trump: Tarifa 100% për vendet evropiane që vendosin taksën dixhitale për kompanitë amerikane
- 19:43 Dita e 27-të e protestës në Tiranë, qytetarët marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë
- 19:33 Izraeli dhe Libani nënshkruajnë sonte në Uashington marrëveshjen e armëpushimit
- 19:31 Betonizim dhe tharje e Banjave Termale të Bënjës? Rama: Manipulim dhe dezinformim digjital, algoritmi ka shpërthyer…
- 19:10 LIVE- Dita e 27-të e protestës në Tiranë, qytetarët marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë
- 19:04 “Nuk e braktise vajzën edhe në frymën e fundit”, deklarata rrënqethëse e bashkëshortit që humbi gruan nga tërmeti