Liderët e BE mblidhen për çmimin e naftës, bombardimet e Iranit dhe Luftën në Ukrainë
Kryeministri hungarez Viktor Orban i ka zemëruar kolegët e tij udhëheqës duke u tërhequr nga marrëveshja që arritën në dhjetor për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh. Zemërimi i akumuluar do të dalë në pah të enjten.
Udhëheqësit e BE-së po takohen në Bruksel për një samit që vjen me një axhendë aq të ngjeshur sa bisedimet e nivelit të lartë mund të shtrihen deri të premten.
Temat më të debatueshme janë vetoja e palëkundur e Hungarisë ndaj kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pasojat në rritje nga lufta në Lindjen e Mesme dhe çmimet kokëfortësisht të larta të energjisë që vazhdojnë të rëndojnë ekonominë evropiane.
“Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën kur të marrim naftën tonë, e cila po bllokohet prej tyre. Deri atëherë, nuk ka asnjë vendim që është i favorshëm për Ukrainën”, tha kryeministri hungarez Viktor Orbán të enjten në mëngjes, duke iu referuar tubacionit Druzhba të epokës sovjetike.
27 krerët e shteteve dhe qeverive do të trajtojnë gjithashtu konkurrencën, tregun e vetëm, tregtinë, sigurinë, migrimin, sistemin shumëpalësh dhe buxhetin e ardhshëm të BE-së.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do t’i drejtohet sallës nëpërmjet videokonferencës. Banka Qendrore Evropiane Christine Lagarde dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres do të marrin pjesë personalisht në pjesë të ndryshme të debatit.
*Ky zhvillim do të ndiqet me përditësim nga Euronews Albania
Costa: Të mbështesim rendin ndërkombëtar në bazë të rregullave
Presidenti i Këshillit, António Costa, përshëndeti multilateralizmin dhe Kombet e Bashkuara si elementë thelbësorë të rendit ndërkombëtar, ndërsa priti Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, në Bruksel.
“Në këtë moment shumë të trazuar që po jetojmë, më shumë se kurrë, është vendimtare të mbështesim rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla për të mbështetur multilateralizmin”, tha Costa.
Costa vlerësoi rolin e Guterres në udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara gjatë krizës aktuale gjeopolitike.
“Shumë aktorë ndërkombëtarë po sfidojnë rendin ndërkombëtar, por ajo që po përjetojmë është se në fakt, nuk ka alternativë për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, alternativa është kaosi, lufta në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe situata dramatike humanitare”, tha Costa.
“Ne duhet të mbështesim multilateralizmin për të mbështetur Kombet e Bashkuara, mund të siguroj që BE-ja do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e madhe e Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai.
Meloni, Frederiksen dhe Jette takim mbi fluksin e migracionit nga Lindja e Mesme
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri holandez Rob Jetten organizuan takimin e zakonshëm joformal mbi migracionin në margjinat e samitit, sipas diplomatëve.
Në takim morën pjesë Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe udhëheqësit e Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Qipros, Gjermanisë, Greqisë, Polonisë, Letonisë, Maltës, Sllovakisë, Republikës Çeke, Suedisë dhe Hungarisë, të cilat janë të interesuara për zgjidhje inovative për menaxhimin e migracionit dhe rritjen e kthimit të migrantëve.
Meloni dhe Frederiksen paraqitën një letër që synonte forcimin e mbështetjes evropiane për popullatat e prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për koordinim në rast të valëve të reja të migrimit nga kjo zonë për shkak të luftës, për të shmangur një përsëritje të krizës së migracionit të vitit 2015.
Presidentja von der Leyen përshkroi fushat kryesore të punës së Komisionit mbi migracionin, duke u përqendruar në veçanti në negociatat mbi ‘rregulloren e kthimit’ të diskutueshme , e cila u lejon shteteve anëtare të ndërtojnë qendra deportimi jashtë territorit të BE-së dhe duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian javën e ardhshme.
Udhëheqësit e BE-së miratojnë mbështetjen për Ukrainën pa firmën e Orban dhe Fico-s
Këshilli Evropian ka miratuar mbështetjen për Ukrainën, por pa nënshkrimet e Viktor Orban të Hungarisë dhe Robert Fico të Sllovakisë, raporton Euronews. Ata të dy ishin të përfshirë në një mosmarrëveshje me Kievin mbi tubacionin e naftës Druzhba.
Deklarata e miratuar flet për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, të cilën Hungaria dhe Sllovakia po e bllokojnë.
Sipas një diplomati të BE-së, gjatë diskutimeve, Orban bëri një ndërhyrje shumë të shkurtër brenda dhomës, duke argumentuar se ai kishte të drejtën për të bllokuar vendimin e miratuar nga udhëheqësit në dhjetor.
Budapesti dhe Bratislava e kanë kritikuar ashpër Komisionin Evropian për përjashtimin e ekspertëve të tyre kombëtarë nga inspektimi i tubacionit.
“Përjashtimi i tyre ngre pyetje themelore në lidhje me besueshmërinë dhe objektivitetin e çdo përfundimi”, thonë ata.
Guterres i bën thirrje SHBA-së dhe Izraelit të ndalojnë luftën: Irani të hapë Ngushticën e Hormuzit
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit të ndërpresin sulmet e tyre kundër Iranit, duke vënë në dukje se lufta rrezikon të dalë plotësisht jashtë kontrollit.
“Kjo luftë po u shkakton probleme të mëdha civilëve dhe përhapja e saj në ekonominë globale mund të jetë vërtet dramatike, me pasoja të mundshme tragjike, veçanërisht për vendet më pak të zhvilluara”, tha Guterres.
Ai i kërkoi gjithashtu Iranit të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij, duke argumentuar se ata nuk kanë qenë kurrë palë në këtë luftë dhe i kërkoi Republikës Islamike të hapë Ngushticën e Hormuzit.
“Mbyllja e zgjatur e Ngushticës po shkakton dhimbje për ata që nuk kanë të bëjnë fare me këtë. Është koha që diplomacia të mbizotërojë mbi luftën”, tha Guterres.
Sllovakia dhe Hungaria kritikojnë reagimin e BE-së ndaj krizës së tubacionit Druzhba
Sllovakia dhe Hungaria i janë ankuar Ursula von der Leyen se nuk janë informuar paraprakisht për një mision ekspertësh të BE-së për të inspektuar dëmtimet në tubacionin Druzhba dhe kanë shprehur keqardhje që ekspertët e tyre nuk u përfshinë, pavarësisht ofertave të hershme për të marrë pjesë, sipas një letre të parë nga Euronews.
Të dy vendet i kanë dërguar një letër von der Leyen, duke shprehur pakënaqësi për reagimin e ngadaltë dhe joefektiv të Komisionit Evropian ndaj çështjeve që lidhen me transitin e naftës përmes tubacionit Druzhba, duke pretenduar se ekzekutivi i BE-së mbështet vazhdimisht interesat e Ukrainës më shumë sesa ato të shteteve anëtare.
Bratislava dhe Budapesti argumentojnë se ky përjashtim ngre dyshime mbi besueshmërinë dhe objektivitetin e çdo gjetjeje dhe bëjnë thirrje për më shumë transparencë dhe bashkëpunim, duke përfshirë të gjitha palët e prekura.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës thirrje udhëheqësve të BE-së: Shtoni presionin ndaj Rusisë
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që të rrisin ndjeshëm presionin mbi Rusinë. Ai më tej paralajmëroi se çmimet në rritje të energjisë të nxitura nga lufta e Iranit dhe përshkallëzimi më i gjerë në Lindjen e Mesme mund të rrisin rrezikun e përshkallëzimit të agresionit rus në Evropë.
“Anijet cisternë të flotës ruse në hije jo vetëm që duhet të ndalohen, por edhe të sekuestrohen”, tha Sybiha.
Sipas tij sanksionet individuale duhet të zgjerohen dhe se është gjithashtu koha për të vendosur ndalime hyrjeje në të gjithë BE-në për luftëtarët rusë.
Sybiha iu referua paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, e cila mbetet e bllokuar nga Hungaria.
“Paketa e 20-të e sanksioneve të BE-së duhet të miratohet pa vonesë dhe çdo shantazh nga shtete anëtare të veçanta për çështje të palidhura duhet të ndalet me veprime vendimtare”, tha Sybiha.
Ai shtoi se sanksionet kundër Rusisë kanë të bëjnë me më shumë sesa thjesht me mbështetjen e Ukrainës ose shprehjen e solidaritetit me ukrainasit.
“E njëjta gjë vlen edhe për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, këto para nuk janë bamirësi; këto janë një investim në kundërshtimin e agresionit rus dhe ruajtjen e paqes në Evropë”, shtoi ai.
Presidentja e Parlamentit Evropian: Ndryshimi i vërtetë për Iranin mund të vijë vetëm nga brenda
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha të enjten se ndryshimi i vërtetë në Iran duhet të nxitet nga brenda, duke bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
“Ndryshimi i vërtetë për Iranin është i mundur, por mund të vijë vetëm nga brenda”, tha Metsola në një konferencë për shtyp në margjinat e Këshillit Evropian të sotëm.
Ajo theksoi se Evropa është e gatshme ta mbështesë këtë process dhe se do të intensifikojnë punën me opozitën e Iranit për të sjellë ndryshime në rajon.
Metsola foli disa ditë pasi Izraeli vrau ministrin e inteligjencës së Iranit, Esmail Khatib, dhe Ali Larijani. Sipas mediave amerikane që citojnë zyrtarë të inteligjencës amerikane, sulmet amerikane-izraelite e kanë dobësuar qeverinë iraniane, por ajo është më e ashpër dhe Garda e fuqishme Revolucionare Islamike ende mban peshë të konsiderueshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz bënë thirrje më parë për negociata në Lindjen e Mesme, ndërsa konflikti përshkallëzohet dhe Ngushtica strategjike e Hormuzit mbetet e bllokuar.
Metsola tha gjithashtu se duhet të përdoren zgjidhje diplomatike dhe se ka nevojë për deeskalim.
Rutte: Jam i bindur, aleatët e NATO-s do të gjejnë një rrugë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar këtë të enjte nga Samiti i BE së është i bindur se aleatët e aleancës së bashku me SHBA-në do të gjejnë një rrugë për të siguruar Ngushticën e Hormuzit. Ai u tha gazetarëve se aleatët janë tashmë në bisedime me SHBA-në për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Rutte përsëriti mbështetjen e tij për luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, duke thënë se ishte thelbësore që Irani të mos merrte në dorë një kapacitet bërthamor.
Ai shtoi se ndjen se aleanca pajtohet me objektivin SHBA-Izrael për degradimin e aftësive bërthamore dhe balistike të Iranit.
“Ajo që po ndiej dhe dëgjoj është se të gjithë jemi dakord, siç kemi qenë gjithmonë, se ajo që po bën SHBA-ja në këtë moment po e degradon atë aftësi të Iranit”, u tha ai gazetarëve.
“Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është e rëndësishme për sigurinë evropiane, për Lindjen e Mesme. Është jetike për vetë Izraelin”, shtoi ai.
Sipas tij një Iran bërthamor potencialisht do të kishte qenë një kërcënim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e Izraelit, Lindjen e Mesme dhe për Evropën.
“Pastaj, kur bëhet fjalë për Ngushticën e Hormuzit, të gjithë bien dakord se kjo ngushticë nuk mund të qëndrojë e mbyllur. Duhet të hapet përsëri sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është thelbësore për ekonominë botërore”, tha ai.
Kryeministri suedez kritika ndaj Orban: E papranueshme të bllokohen vendimet për të cilat është rënë dakord
Kryeministri suedez Ulf Kristersson kritikoi homologun e tij hungarez Viktor Orban për bllokimin e kredisë së dakordësuar më parë nga BE për Ukrainën, duke e quajtur si veprim të papranueshëm.
“Është e papranueshme të bllokohen vendimet për të cilat është rënë dakord dikur. Në të njëjtën kohë, Komisioni është ofruar të ndihmojë në krijimin e një kuadri menaxhimi për importet e ligjshme të naftës ruse. Shpresoj se do ta zgjidhim këtë problem gjatë ditës”, tha Kristersson.
Ai tha se Orban po e përdorte çështjen për të ushtruar presion mbi udhëheqësit e BE-së për qëllime politike të brendshme, përpara zgjedhjeve parlamentare të Hungarisë në prill.
“Mendimi im është se ai po e bën këtë për arsye politike të brendshme në Hungari”, shtoi ndër të tjera ai.
Kristersson shtoi se importet e naftës ruse nga Hungaria ishin të ligjshme sipas rregullave të BE-së, duke vënë në dukje se si Hungaria ashtu edhe Sllovakia kishin siguruar përjashtime nga sanksionet evropiane mbi importet e naftës ruse kur ato u futën për herë të parë.
Macron dënon shkatërrimin e infrastrukturës në Lindjen e Mesme: Sulme të pamatura
Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë fjalës së tij nga Samiti i BE-sw dënoi me forcë shkatërrimin e vazhdueshëm të infrastrukturës energjetike në rajonin e Gjirit, duke e quajtur përshkallëzimin aktual të pamatur.
“Të gjithë duhet të qetësohen dhe luftimet duhet të ndalen, të paktën për disa ditë, në përpjekje për t’u dhënë një shans negociatave”, tha Macron, duke shtuar se rajoni duhet të ndalojë luftimet gjatë festimeve të ardhshme.
Macron iu referua konkretisht Katarit, ku një sulm me raketa shkaktoi një zjarr duke dëmtuar rëndë objektin kryesor të gazit të vendit. Ai tha se kishte folur me Emirin e Katarit, si dhe me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
Presidenti francez i kërkoi gjithashtu Hungarisë, pa e përmendur vendin, të binte dakord për kredinë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën.
“Ne duhet ta zbatojmë kredinë”, tha ai, duke shtuar se Evropa duhet të zgjerojë edhe kapacitetet e saj të prodhimit ushtarak.
Sanchez dënon sulmet amerikane ndaj Iranit: Evropa duhet të mbrojë vlerat dhe parimet e saj
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez gjatë fjalës së tij para gazetarëve në Samitin e BE-së ka dyfishuar kritikat e tij ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, duke i quajtur ato si të paligjshme.
“Evropa bazohet në parimet e multilateralizmit, pra, në vendime të përbashkëta, jo të njëanshme, në të drejtën ndërkombëtare, në paqe, në respektimin e bashkëjetesës paqësore midis kombeve dhe midis shoqërive. Dhe kjo është pikërisht ajo që po vihet në pikëpyetje tani, edhe një herë, në këtë rast në luftën në Iran”, tha ai.
Sipaa tij Evropa duhet të mbrojë vlerat dhe parimet e saj.
“Le të mbrojmë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, jo në ligjin e më të fortit. Le të mbrojmë një axhendë konstruktive me vendet e tjera, qofshin Shtetet e Bashkuara apo vendet e fqinjësisë sonë jugore, dhe le të qëndrojmë pranë atyre që vuajnë nga shkeljet e së drejtës ndërkombëtare, siç është rasti në Ukrainë dhe Palestinë”, shtoi ai.
Kallas: Rusia po përfiton nga lufta në Lindjen e Mesme
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimi Evropian, Kaja Kallas ka kritikuar kryeministrin hungarez, Viktor Orban për tërheqjen nga marrëveshja e arritur në dhjetor për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh.
“Mendoj, e dini, në kohën e zgjedhjeve, njerëzit nuk janë aq racionalë”, tha ajo, duke iu referuar fushatës së ashpër të rizgjedhjes së Orban-it.
Kallas tha se nuk ishte shumë optimiste për heqjen e vetos gjatë samitit, duke pasur parasysh mosmarrëveshjen e vazhdueshme midis Hungarisë dhe Ukrainës mbi tubacionin Druzhba.
Ajo tha se kishte alternativa nëse kredia do të dështonte dhe u bëri thirrje udhëheqësve të tregonin kurajo politike për të kapërcyer bllokimin përpara se Kievi të mbetet pa para në fillim të majit.
“Është vërtet koha për të treguar mbështetjen tonë për Ukrainën, sepse lufta në Lindjen e Mesme është e lidhur me luftën në Ukrainë”, tha ajo.
“Dhe për fat të keq, Rusia po fiton nga lufta në Lindjen e Mesme. Prandaj, dalja ose përfundimi i kësaj lufte (në Iran) është po aq e rëndësishme për të pasur një zgjidhje edhe për Ukrainën që nuk është dorëzimi i plotë ndaj Rusisë”, shtoi ajo.
Costa: Duhet të jemi në gjendje të ndërtojmë kapacitetin tonë për të prodhuar energji
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa i cili do të kryesojë samitin e sotëm të BE-së ka deklaruar se konflikti në Iran tregon se mënyra më e mirë për të pasur një horizont të parashikueshëm dhe të besueshëm mbi energjinë është rritja e prodhimit vendas të energjisë.
“Sigurisht, ne duhet ta bëjmë këtë, duke marrë parasysh specifikën e shteteve të ndryshme anëtare, specifikën e disa sektorëve ekonomikë, të cilët janë intensivë në përdorimin e energjisë. Por ne duhet ta bëjmë këtë së bashku dhe të mos harrojmë kurrë se jo vetëm që duhet të mbrojmë kompanitë tona sot, por duhet gjithashtu të sigurohemi që brezi i ardhshëm të vazhdojë të ketë një planet për të jetuar”, shtoi ai.
Costa shtoi se energjia do të thotë siguri dhe se vendet duhet të jenë në gjendje të ndërtojnë kapacitetin për të prodhuar energjinë pasi sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të qenë të sigurt.
Një diskutimet kryesore sot të samitit të Brukseli, kronologjia e mosmarrëveshjes në Druzha mes Ukrainës dhe Hungarisë
Ja një kronologji e përmbledhur për të kuptuar mosmarrëveshjen rreth tubacionit Druzhba, e cila ka bllokuar kredinë prej 90 miliardë euro për Ukrainën.
27 janar: Flukset e naftës ruse përmes tubacionit Druzhba ndalen pas një sulmi me dron pranë stacionit të pompimit në Brody. Sulmi i atribuohet Rusisë.
15 shkurt: Hungaria dhe Sllovakia, dy vendet që mbeten të lidhura me Druzhba, i kërkojnë Kroacisë të lejojë kalimin e naftës ruse përmes tubacionit Adria. Kroacia e refuzon kërkesën sepse nafta ruse është nën sanksione si nga BE-ja ashtu edhe nga SHBA-ja.
18 shkurt: Hungaria dhe Sllovakia ndalojnë eksportet e naftës diesel drejt Ukrainës, duke e akuzuar vendin për mbyllje të qëllimshme të tubacionit. Kievi këmbëngul se ai është i dëmtuar dhe se flukset e naftës nuk mund të rifillojnë.
19 shkurt: Ndërsa tensionet përshkallëzohen, Komisioni Evropian thërret një mbledhje urgjente të Grupit të Koordinimit të Naftës. Ekzekutivi deklaron se nuk ka krizë furnizimi me energji.
20 shkurt: Në një lëvizje të papritur, Hungaria vendos të bllokojë kredinë prej 90 miliardë euro për Ukrainën, të cilën liderët e BE-së e kishin miratuar në dhjetor. Vendi vendos veto ndaj të vetmit propozim legjislativ që lidhet me buxhetin e BE-së dhe kërkon unanimitet.
24 shkurt: Gjatë një vizite në Ukrainë, Ursula von der Leyen thotë se kredia do të realizohet “në një mënyrë ose në një tjetër”. Ajo gjithashtu i kërkon Volodymyr Zelenskyy të përshpejtojë punimet e riparimit.
26 shkurt: Viktor Orbán propozon një “mision për verifikimin e fakteve” në tubacion dhe pranon “vështirësitë politike” të shkaktuara nga vetoja e tij.
6 mars: Tensionet përshkallëzohen ndjeshëm pasi Hungaria sekuestron një autokolonë nga një bankë ukrainase dhe Zelenskyy sugjeron t’u japë ushtarëve të tij adresën personale të Orbánit.
10 mars: Robert Fico thotë se ka arritur një marrëveshje me von der Leyen mbi nevojën për të rikthyer Druzhba-n. Ai gjithashtu ofron ndihmë për riparimet, por këmbëngul se tubacioni është funksional.
17 mars: Ukraina pranon një inspektim të jashtëm të Druzhba-s të udhëhequr nga Komisioni Evropian. Misioni për verifikimin e fakteve organizohet shpejt dhe dërgohet në vend.
19 mars: Liderët e BE-së mblidhen në Bruksel.
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta