Scholzi humbet votëbesimin, hapet rruga për zgjedhje të reja në Gjermani

16 Dhjetor 2024 | 16:59

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka humbur votëbesimin në Parlamentin e vendit të hënën, me çfarë i ka hapur vendit rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të shkurtit.

Scholzi e fitoi besimin e 207 ligjvënësve në Bundestag, por 394 të tjerë votuan kundër tij, ndërsa 116 abstenuan.

Atij i nevojitej një shumicë prej 367 votash për ta fituar votëbesimin.

Scholzi udhëheq një qeveri pakicë, pasi koalicioni i tij qeverisës trepartiak dështoi më 6 nëntor, për shkak të mosmarrëveshjeve për mënyrën se si ta ringjallin ekonominë e ngecur të vendit.

Liderët e disa partive të mëdha u pajtuan që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 23 shkurt, shtatë muaj më herët se koha e zgjedhjeve të rregullta.

Votëbesimi ishte i nevojshëm sepse Kushtetuta e Gjermanisë nuk e lejon Parlamentin të shpërbehet vetvetiu.

Tani i takon presidentit Frank-Walter Steinmeier të vendosë për shpërbërjen apo jo të Bundestagut dhe për të thirrur zgjedhje të reja.

Ai ka 21 ditë kohë për ta marrë atë vendim, dhe sapo të shpërbëhet Parlamenti, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 60 ditëve.

Sondazhet tregojnë se partia e Scholzit është mbrapa partisë kryesore opozitare, blloku i Unionit i Friedrich Merzit. Nënpresidenti Robert Habeck, të Gjelbërit e të cilit ngelin edhe më mbrapa, do të garojë për kancelar gjithashtu.

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e cila po shënon rritje në sondazhe, e ka nominuar Alice Weidelin për kancelare, por ajo nuk ka gjasa për këtë post sepse partitë e tjera nuk duan të bashkëpunojnë me këtë parti.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ushtria kolumbiane liron 39 persona të rrëmbyer nga rebelët, dy viktima dhe 5 të plagosur

Ushtria e Kolumbisë njoftoi se kishte liruar 39 persona të rrëmbyer nga ELN,  grupi më i vjetër rebel në Amerikë, në një zonë të largët në veriperëndim....
09:51 | 15/07/2026

Mundësi për një takim të ri me Trump, Netanyahu do të udhëtoj drejt Uashingtonit! Zbulohet arsyeja

Kryeministri Benjamin Netanyahu do të fluturojë për në Uashington të shtunën në mbrëmje dhe do të marrë pjesë në funeralin e senatorit të ndjerë Lindsey...
09:46 | 15/07/2026

SHBA vendos sanksione ndaj 50 individëve, subjekteve dhe anijeve të lidhura me transportin detar iranian

Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj 50 individëve, subjekteve dhe anijeve të lidhura me transportin detar iranian. Sipas njoftimit, masat...
09:36 | 15/07/2026