Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia “ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund t’i minojë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.
“Këto veprime, në kundërshtim me këshillat tona më të mira, e dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj”, sipas një zëdhënës të Ambasadës amerikane në Kosovë.
Në një deklaratë të postuar në ueb-faqen e saj, Ambasada amerikane në Prishtinë i cilësoi veprimet e Kosovës si të pakoordinuara tha se ato “e dobësojnë besimin në marrëdhënie” dhe “e kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”.
Në një reagim, Bashkimi Evropian tha se veprimet e Kosovës përmbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia – në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e shpërndau komunikatën e BE-së në X, duke shtuar se pajtohet plotësisht me reagimin e saj ndaj vendimit të autoriteteve kosovare.
“Dhe, më lejoni të jem i qartë: Ne pajtohemi në parim se strukturat e tilla paralele duhet të shuhen. Por, mënyra për ta bërë këtë duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Me veprime sikurse këto sot, ju nuk i fitoni zemrat e njerëzve të prekur nga kjo”, tha Rohde.
BE-ja e përsëriti se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
BE-ja gjithashtu i paralajmëroi autoritetet kosovare se vendimi i së mërkurës mund të ndikojë në vendimin e saj për të mos i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.
“Ndërsa, siç theksohet në konkluzionet e Këshillit për zgjerimin për vitin 2024, BE-ja do t’i heqë gradualisht masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e shtesë të ndërmarrë nga Kosova për t’i ulur tensionet në veri, këto veprime i dëmtojnë këtë qëllim”, tha blloku të mërkurën.
Në një komunikatë të mërkurën në mbrëmje, ambasada britanike në Prishtinë tha se Mbretëria e Bashkuar është e “shqetësuar” nga veprimet e sotme të autoriteteve kosovare.
Ajo tha se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të sigurohet që veprime të tilla të realizohen në përputhje me kornizën e saj ligjore, por edhe “të merret parasysh faktin se shumë serbë të zakonshëm të Kosovës, përfshirë ata më të cenueshmit, vazhdojnë të varen nga këto institucione për shërbime”.
“Angazhimi konstruktiv, nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe krijimin e ASMM-së [Asociacionit të komunave me shumicë serbe], është mënyra më e mirë për të adresuar këto çështje”, tha ajo.
LEXONI GJITHASHTU:
- SHBA, propozim për ulje të nivelit të nikotinës në cigare
- Regjistrimi diasporës në qarqe: Kryeson Qarku Fierit, i fundit Elbasani