SHBA nuk i jep vizë ish-komisionerit të BE-së, Thierry Breton! Shkak rregullat për rrjetet sociale

24 Dhjetor 2025 | 10:04

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se do t’u mohojë vizat pesë personave, përfshirë një ish-komisioner të BE-së, për përpjekje për të “detyruar” platformat amerikane të rrjeteve sociale që të shtypin pikëpamjet që ata kundërshtojnë.

“Këta aktivistë radikalë dhe OJQ të instrumentalizuara kanë avancuar goditje censuruese nga shtete të huaja, në çdo rast duke synuar folës amerikanë dhe kompani amerikane,” tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio në një deklaratë.

Thierry Breton, ish-rregullatori kryesor i teknologjisë në Komisionin Evropian, sugjeroi se po zhvillohej një “gjueti shtrigash”.

Breton u përshkrua nga Departamenti i Shtetit si “mendja kryesore” pas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të BE-së, i cili u imponon kompanive të mediave sociale detyrime për moderimin e përmbajtjes. Megjithatë, ligji ka zemëruar disa konservatorë amerikanë, të cilët e shohin atë si përpjekje për të censuruar opinionet e djathta.

Sakaq, Breton është përplasur me Elon Musk për detyrimet për të respektuar rregullat e BE-së.

Komisioni Evropian së fundmi gjobiti X me 120 milionë euro për distinktivët e verifikimit “blu”, gjoba e parë sipas DSA-së. Komisioni tha se sistemi i shenjës blu i platformës ishte “mashtrues”, sepse kompania nuk po “verifikonte në mënyrë kuptimplote përdoruesit”.

Në përgjigje, platforma e Musk bllokoi Komisionin që të vendoste reklama në X.

Duke reaguar ndaj ndalimit të vizave, Breton shkroi në X: “Për miqtë tanë amerikanë: censura nuk është aty ku mendoni se është”.

Clare Melford, e cila drejton organizatën britanike Global Disinformation Index (GDI), ishte gjithashtu në listë.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Sarah B Rogers, akuzoi GDI-në se kishte përdorur para të taksapaguesve amerikanë “për të nxitur censurën dhe për të futur në lista të zeza fjalën e lirë dhe shtypin amerikan”.

Një zëdhënës i GDI i tha BBC-së se “sanksionet e vizave të shpallura sot janë një sulm autoritar ndaj lirisë së shprehjes dhe një akt flagrant i censurës shtetërore”.

“Administrata Trump po përdor edhe një herë gjithë peshën e qeverisë federale për të frikësuar, censuruar dhe heshtur zërat me të cilët nuk pajtohet. Veprimet e sotme janë imorale, të paligjshme dhe jo-amerikane”, u shpreh ajo.

Imran Ahmed nga Center for Countering Digital Hate (CCDH), një organizatë jofitimprurëse që lufton urrejtjen dhe dezinformimin në internet, gjithashtu mori ndalim.

Rogers e quajti Ahmedin “një bashkëpunëtor kyç në përpjekjen e Administratës Biden për të instrumentalizuar qeverinë kundër qytetarëve amerikanë”.

Gjithashtu subjekt i ndalimeve ishin Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon nga HateAid, një organizatë gjermane që, sipas Departamentit të Shtetit, ndihmoi në zbatimin e DSA-së.

Në një deklaratë për BBC-në, dy drejtoreshat ekzekutive e quajtën këtë “një akt represioni nga një qeveri që po shpërfill gjithnjë e më shumë sundimin e ligjit dhe po përpiqet të heshtë kritikët e saj me çdo mjet të mundshëm”.

“Nuk do të frikësohemi nga një qeveri që përdor akuza për censurë për të heshtur ata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes”, shtuan ato.

Ndërkohë, Rubio tha se janë ndërmarrë hapa për të vendosur kufizime vizash ndaj “agjentëve të kompleksit global të censurës industriale, të cilët si rezultat do të ndalohen përgjithësisht të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se politika e tij e jashtme ‘America First’ refuzon shkeljet e sovranitetit amerikan. Tejkalimi ekstraterritorial nga censurues të huaj që synojnë fjalën amerikane nuk bën përjashtim”, ka theksuari ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rusia pretendon se ka pushtuar dy vendbanime të tjera në Ukrainë

Rusia pretendoi të dielën se forcat e saj kanë pushtuar dy vendbanime në Ukrainën juglindore dhe kanë shkatërruar dy avionë luftarakë ukrainas MiG-29 gjatë 24...
13:02 | 28/06/2026

SHBA-Iran shkëmbejnë sulme, Trump: Teherani nuk do ekzistojë më

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ndaj Iranit, pas sulmit me dron që Republika Islamike kreu ndaj një anijeje me flamur panamez në...
12:19 | 28/06/2026

Vijojnë kërkimet për të mbijetuar nga tërmetet në Venezuelë, bilanci i viktimave 1.430

Bilanci i viktimave të tërmeteve që më herët gjatë javës tronditën Venezuelën ka shkuar në 1.430 persona, teksa skuadrat e shpëtimit vijojnë kërkimet për të...
12:17 | 28/06/2026