Shifrat/ Bien lindjet në Durrës, ekspertët shpjegojnë shkaqet

1 Tetor 2025 | 17:19

Çiftet e reja e kanë të vështirë të krijojnë familje të mëdha me shumë fëmijë, pasi i druhen kostos së lartë të rritjes së një fëmije.

Për pasojë, ky faktor ka ndikuar në uljen e numrit të lindjeve në maternitetin e Durrësit.

Statistikat tregojnë se në vitin 2014 u regjistruan mbi 3000 lindje, ndërsa sot ky numër është reduktuar ndjeshëm.

Në vitin 2023 u regjistruan 1896 lindje, ndërsa në vitin 2024 ky numër ra në 1841 lindje, dhe për tetëmujorin e vitit 2025 janë shënuar 733 lindje.

Kjo tregon një trend shqetësues që, sipas ekspertëve, pasojat e këtij fenomeni janë të dukshme jo vetëm për shoqërinë, por edhe për ekonominë e qytetit.

“Në total vihet re një ulje duke e parë nga viti në vit. Kjo ulje e numrit të lindjeve është një ulje globale, jo vetëm në vendin tonë, dhe ndikojnë disa faktorë. Faktor social, faktor ekonomik, lidhet me faktin se rritja e një fëmije ka kosto, kosto lidhur me banesën, rritjen, edukimin dhe kushtet ekonomike të fëmijës. Prindërit stepen të bëjnë shumë fëmijë siç bënin më parë; tani reduktohet deri në 1–2 fëmijë. Gratë kërkojnë të jenë më të pavarura, më të kulturuara dhe të edukuara, kërkojnë të ndjekin shkollat e larta dhe kjo bën që të mos martohen në kohën e duhur. Vihet re një trend i ri nga të dy partnerët për të shtyrë kohën e martesës,” – thotë Diana Shahini, drejtoreshë e maternitetit në Durrës.

Sipas ekspertëve, ndryshimi nuk lidhet vetëm me zgjedhjet individuale, por edhe me pasigurinë ekonomike dhe kushtet sociale që ndikojnë në vendimet e familjeve për të sjellë fëmijë.

“Disa nga faktorët mund të jenë ndryshimet kulturore. Të rinjtë kanë pritshmëri të tjera për veten, priren të krijojnë një karrierë të suksesshme dhe financa të mira, dhe më pas mendojnë të krijojnë familje. Arsyet ekonomike lidhen me kostot e jetesës dhe të gjitha kushtet që duhet t’i plotësohen një fëmije,” – thotë sociologia Jonida Kuçi.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është thjesht një statistikë. Është një alarm social. Rënia e lindshmërisë prek shëndetësinë, shkollat, strukturën demografike dhe ekonominë e qytetit.

Sipas tyre, Durrësi po përballet me një realitet të ri. Familjet zgjedhin të investojnë në karrierë dhe stabilitet ekonomik përpara se të krijojnë familje.

Fëmijët po bëhen më pak, dhe pasojat do të jenë të dukshme në dekadat që vijnë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Reforma Administrativo-Territoriale, PD kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit deri në tetor

U zhvillua këtë të mërkurë mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Gjatë mbledhjes, Partia Demokratike kërkoi shtyrjen e afatit të...
14:37 | 15/07/2026

Hita mbledh drejtuesit e Policisë në qarqe: Prioritet siguria gjatë sezonit turistik dhe goditja e krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtuesit e...
14:09 | 15/07/2026

Mbajtën peng dhe kërcënuan një 70-vjeçar në shtëpinë e tij për ta grabitur, arrestohen 3 persona në Himarë

Policia e Himarës ka finalizuar operacionin e koduar “Shuma”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për tentativën e grabitjes së një 70-vjeçari në fshatin Borsh....
12:58 | 15/07/2026