Në mbrëmjen gala të organizuar sonte nga FSHF në Teatrin e Operas dhe Baletit, dy nga çmimet më të veçanta ishin ato për “Talentin e Vitit” për djem e vajza. Mes vajzave të nominurara për këtë trofe ishin: Angela Nikaj, Klesta Ago, Herta Hasa dhe Xhesika Ndoj.

Xhesika Ndoj, futbollistja e talentuar e Apolonisë u shpall fituese e këtij trofeu të veçantë për vajza, “Talentja e vitit” 2024. E karakterizuar nga shpirti i garës dhe dashuria e madhe për futbollin, lojtarja e Apolonisë është vlerësuar për të fituar këtë çmim të rëndësishëm dhe motivues për të ardhmen.

Trajnerja e ekipit Kombëtar U-19 për vajza, Luçije Gjini u ngjit në skenë për t’i dorëzuar Xhesikës trofeun.

Po ashtu është shpallur edhe formacioni më i mirë i vitit ndërsa në skenë është ftuar Sulejman Mema i cili lexoi emrat e fituesve të përcaktuar sipas votimit të bërë nga gazetarët e emisioneve sportive në televizionet shqiptare.

Nga porta në sulm, 11 lojtarët të cilët kanë qenë vendimtarë me klubet e tyre përgjatë vitit 2024 janë këto: Alen Sherri (portier), Edison Ndreca (mbrojtës i majtë), Renato Malota (qendërmbrojtës), Arbenit Xhemajli (qendërmbrojtës), Arsid Kruja (mbrojtës i djathtë), Arinaldo Rrapaj (mesfushor i majtë), Albano Aleksi (mesfushor qendre), Arbin Zejnullai (mesfushor i djathtë), Ermir Rashica (sulmues i majtë), Bekim Balaj (sulmues qendre) dhe Baton Zabërgja (sulmues i djathtë).

11 futbollistët u ngjitën në skenë dhe tërhoqën çmimet, teksa nuk munguan falënderimet e rastit dhe një foto e të gjithë ekipit së bashku.

Ezmiralda Franja, mesfushorja e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë është “Topi i Artë” 2024. Në garë për këtë çmim tepër të rëndësishëm ishin edhe futbollistet, Xhesika Ndoj (Apolonia), Mesuare Begallo (Gramshi) dhe Vanesa Levendi (Apolonia).

Trofeun e rëndësishëm ia dorëzoi Ezmiralda Franjes i ftuari special i FSHF-së në këtë event special, Gaizka Mendieta. Ish-futbollisti i njohur ka qenë kapiten i Valencias, ka luajtur me Barcelonën, Lazion etj, si edhe me kombëtaren e Spanjës. Mendieta përshëndeti të pranishmit dhe uroi Franjën e të gjithë fituesit e tjerë të këtij edicioni të “Topit të Artë”. “Është nder të jem sot këtu. Përgëzoj fituesit dhe i them të vazhdojnë të frymëzojnë të rinjtë. Përgëzoj Federatën për punën”

Ezmiralda Franja fiton për herë të parë këtë trofe, teksa ka qenë në listën e të nominuareve edhe në edicionet e kaluara. Mes shumë emocionesh, mesfushorja e talentuar tha: Sot jam shumë e lumtur, nuk e kam menduar që do arrija kaq lart kur nisa të luaja futboll. Falënderoj Presidentin e Vllaznisë, Lazer Matija dhe shoqet e ekipit që bënë të mundur që unë të fitoj këtë trofe. Ia dedikoj familjes time dhe në veçanti mamit tim, që ëndërroi të bëhej futbolliste, por nuk ia doli dot”.

Edlir Tetova është shpallur “Trajneri i Vitit” 2024. Tekniku shqiptar bëri histori me klubin e Egnatias përgjatë këtij sezoni, duke e udhëhequr drejt titullit të parë kampion në “Abissnet Superiore” dhe duke plotësuar tripletën me Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.

Mes të nominuarëve ishin edhe Orges Shehi, Ivan Gvozdenovic dhe Ilir Daja.

Në mbrëmjen gala që po mbahet sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit, zëvendës-trajneri i ekipit kombëtar, Pablo Zabaleta i dorëzoi Edlir Tetovës këtë trofe të rëndësishëm.

Pasi mori trofeun, trajneri i Egnatias u shpreh: ‘Falënderim për Presidentin e Federatës për këtë super event dhe klubin e Egnatias me në krye Presidentin Demrozi. Falenderim edhe për çunat e mi të Egnatias’.