Shpërthimi te posta në Zveçan, reagon Kurti: Akt me elementë terrorist
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e së martës në godinën e postës në Zveçan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka dënuar sulmin, duke theksuar se kjo vepër ka elementë terrorist.
Kurti shtoi se ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor të Kosovës.
Ai gjithashtu ironizoi me rastin e Milan Radoiçiq, duke theksuar se persona të tillë, të lidhur me grupe kriminale, enden të lirë dhe po shfrytëzohen për qëllime shoviniste.
Më tej, Kurti deklaroi se Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset dhe shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët.
Reagimi i plotë
Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025.
Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.
Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste.
Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese.
Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.
Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët.
Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë.
Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë.
LEXONI GJITHASHTU:
Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për “presion ndaj serbëve”
Deklarata e ministres serbe, Konjufca letër Kallas. Kërkon takim ose bisedë telefonike për të diskutuar çështjen
Berisha për deklaratat e ministres serbe: Ndjesa e një monstre, përsëris kërkesën për shpalljen e saj ‘non grata’
- 14:15 Aksident në aksin Pogradec-Korçë, plagosen dy persona (VIDEO)
- 14:02 Kina: Do të marrim masa për shtetëzimin e British Steel nga Mbretëria e Bashkuar
- 13:52 Më shumë se 100 shtëpi të shkatërruara nga zjarri masiv në Norvegji
- 13:43 SHBA përforcon flotën e avionëve që furnizohen me karburant në Izrael
- 13:32 Urdhrat e vonuara dhe konfuzioni ngadalësuan reagimin e ushtrisë venezueliane ndaj tërmeteve
- 13:18 Mbi 5,000 të vdekur nga tërmetet në Venezuelë, FMN shpërndan 346 milionë fonde për rindërtim