Shpronësimet e tokave në Veri, QUINT dhe BE kritikojnë qeverinë e Kosovës

6 Qershor 2024 | 12:52

Ambasadat e Shteteve të QUINT-it [SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë], Zyra e Bashkimit Evropian dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë më 6 qershor kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimin e saj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Një ditë më herët, Radio Evropa e Lirë raportoi për vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviç dhe Zubin Potok, i cili përjashton disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë.

Në deklaratën e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së thuhet se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviçit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviç dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës të datës 30 maj, thuhet se në Leposaviç do të shpronësohen 96 hektarë, që do të thotë tetë hektarë më pak.

“Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”, thuhet në deklaratë.

Ndër tjerash theksohet se është “thelbësore që Qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin”.

Aty shtohet se duhet të ndiçet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve të respektohen plotësisht.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më 5 qershor se shqyrtimi i një vendimi të Gjykatës Themelore lidhur me këtë çështje është ende në vazhdim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviç dhe Zubin Potok, është marrë në përputhje me aktgjykimet e formës së prerë të gjykatave të Kosovës, të cilat kanë kërkuar përjashtimin e disa parcelave nga shpronësimi.

“Gjykata ka qenë e qartë kur ka konstatuar se shumica e paditësve nuk kanë pasur legjitimitet për të nisur procedura ligjore, sepse nuk kanë mundur të dëshmojnë pronësinë e tyre mbi tokën që është subjekt i shpronësimit. Në vazhdën e kësaj, Qeveria ka vepruar në bazë të vendimeve gjyqësore dhe ligjeve në fuqi”, thotë Kryeziu.

Shtetet e QUINT-it, në deklaratën e tyre, theksojnë se ndaras ia kanë shprehur më herët shqetësimin Qeverisë se “projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit”, duke shtuar se e kanë inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat para se ta miratojë atë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte refuzuar shumicën e padive të qytetarëve serbë, të cilët paditën Qeverinë e Kosovës dhe kërkuan të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”./Marrë nga REL.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfshihet nga flakët automjeti në hyrje të tunelit të Llogarasë, ndërhyjnë zjarrfikësit (VIDEO)

Një automjet tip fuoristradë është përfshirë nga flakët në hyrje të tunelit të Llogarasë këtë të mërkurë. Sipas pamjeve, forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur...
14:13 | 24/06/2026

Kërkesat e protestuesve, Berisha: Kufizimi i mandatit të kryeministrit në 2 mandate, PD plotësisht dakord

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë është ndalur edhe te protestat që po zhvillohen në Tiranë, konkretisht...
13:31 | 24/06/2026

Shpërthimi me tritol në lokalin e “Noizy-t”, dëshmia e Cllevio-s në GJKKO: Isha në burg, e mora vesh nga shokët

Kleviol Ahmeti, i njohur gjerësisht si “Cllevio”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme lidhur me marrëdhëniet e tij me Laert Haxhiun dhe përplasjen fizike me...
13:19 | 24/06/2026