Shqipëria i beson përvojës italiane, kush do të jetë trajneri i ri i Kombëtares

19 Maj 2026 | 09:59

Italiani Rolando Maran është trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, duke marrë drejtimin e kuqezinjve pas një periudhe rreth një viti pa angazhim në pankinë.

Ishte vetë presidenti i FSHF-së, Armando Duka, që e prezantoi 62-vjeçarin të martën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku mori pjesë edhe ish-trajneri Sylvinho, të cilin e falenderoi për kontributin e tij në drejtimin e kuqezinjve.

Për rreth një vit, tekniku Rolando Maran ka qenë pa skuadër, ndërsa tani Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar drejtimin e Kombëtares, me synimin për të sjellë stabilitet dhe përvojë në pankinën kuqezi.

Presidenti Duka tha se objektivat e Kombëtares janë vendi i parë në Nations League, si dhe kualifikimi për Euro 2028, ndërsa më pas synimi do të jetë vazhdimi i rrugëtimit për të qenë pjesë e Botërorit 2030.

Maran, i lindur më 14 korrik 1963 në Itali, është një trajner me përvojë të gjatë në futbollin italian, si në Serie A ashtu edhe në Serie B. Ai ka qenë më parë edhe futbollist, ku karrierën si mbrojtës e ka zhvilluar kryesisht te Chievo Verona, klub me të cilin ka kaluar një pjesë të rëndësishme të viteve si lojtar.

Pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin 1997, Maran nisi menjëherë karrierën si trajner, fillimisht në sistemin e të rinjve te Chievo, më pas duke kaluar në klube si Brescia, Cittadella, Bari, Triestina dhe Vicenza në Serie B. Ai u bë më i njohur në elitën e futbollit italian gjatë drejtimit të Catanias, ku në sezonin e parë arriti një renditje historike në vendin e 8-të në Serie A, duke regjistruar një nga sezonet më të suksesshme të klubit.

Më pas, Maran ka drejtuar edhe Chievon për disa sezone në Serie A, si dhe Cagliarin, ku në fillim arriti rezultate të mira dhe e vendosi skuadrën përkohësisht në garë për zonat europiane, por më pas rezultatet ranë. Ai ka pasur gjithashtu një eksperiencë te Genoa dhe Pisa, ndërsa angazhimi i tij i fundit ishte te Brescia, ku u largua në fund të vitit 2024.

Maran njihet për stilin e tij të organizuar taktikisht dhe për punën e kujdesshme me skuadrat në fazën mbrojtëse, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të përshtatet me futbollin dhe objektivat e Shqipërisë në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

Rolando Maran

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama mesazh me foton e Flamingove për BE-në: Thanë se negociatat u bllokuan, puna e tyre janë llafet! Fjala jonë është puna

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh në rrjetet e tij sociale, ku thekson se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian vijon, ndërsa...
17:56 | 10/07/2026

Trump zbulon dosjen e re të UFO-ve: Si objekti me 8 cepa u ul mbi bazën bërthamore

Dhjetëra dokumente të deklasifikuara së fundmi mbi UFO-t janë publikuar nga administrata Trump, duke hedhur më shumë dritë mbi një sërë pamjesh dhe incidentesh të...
17:19 | 10/07/2026

Berisha: Qeveria po përpiqet të kufizojë lirinë online, do kërkojmë komision hetimor

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, duke akuzuar qeverinë se po synon të...
16:00 | 10/07/2026