Prej disa ditësh disa qytetarë shqiptarë në pikën kufitare të Kakavijës nuk janë lejuar të hyjnë në Shqipëri për shkak të situatës së COVID-19 duke mbetur të bllokuar në tokë neutrale.
Në një lidhje live me Ilva Now, Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit e cilësoi ekstreme masën e vendosur nga qeveria për të mos i lejuar këta njerëz të hyjnë në atdhe teksa ka kujtuar se disa ditë më parë është bërë riatdhesimi i shumë shqiptarëve që kishin mbetur jashtë vendit.
“Misioni i KMSH edhe në këto kohë të vështira është mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Teksa biem dakord me masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria që synojnë të mbrojnë jetën. Në rastin konkret kemi të bëjmë me bllokimin e shumë shqiptarëve prej 72 orësh në kufi. E kuptojmë se qeveria ka vendosur kufizime për të mbrojtur jetën e atyre që jetojnë brenda vendit. Por derisa ka lejuar riatdhesimin e disa shtetasve shqiptarë që kishin mbetur jashtë vendit s’duhet të ndjekë dy standarde. Dhe këta njerëz duket që janë në nevojë, dhe nuk mund të lihen në kushte çnjerëzore në zonë neutrale”, tha znj. Skëndaj.
Ajo kërkoi nga qeveria dhe kryeministri që të mos tregohet ekstrem duke i konsideruar masat e vendosura si të pakalueshme, teksa kujtoi se edhe pse konsiderohet si gjendje lufte, edhe në luftë vepron parimi i humanizmit.
Njerëzit që kanë mbetur të bllokuar në kufi, tha Skëndaj, janë dukshëm në nevojë dhe nuk e kanë të mundur të paguajnë një hotel për 14 ditë me qëllim vetëkarantinimin, siç kërkoi kryeministri, pasi shumica janë punëtorë sezonalë që shkojnë në Greqi për të punuar në mënyrë që të sigurojnë bukën për familjet e tyre.