Shtyhet gjyqi ndaj Trump për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve

3 Shkurt 2024 | 08:53

Një gjykatëse federale shtyu zyrtarisht gjyqin që do të mbahej në mars ndaj ish-presidentit Donald Trump, me akuzat se u përpoq të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ndërkohë që një apelim i rëndësishëm i tij vazhdon të mbetet pa përgjigje në një gjykatë apeli.

Gjykatësja Tanya Chutkan vendosi anulimin e gjyqit të caktuar për në 4 mars, për padinë e paraqitur nga prokurori i posaçëm Jack Smith, por nuk përmendi caktimin e një date të re.

Sipas Zërit të Amerikës, Kjo shtyrje çel tashmë mundësinë që të vazhdojë punimet një tjetër gjyq në Nju Jork, me akuzat për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë. Ky është gjyqi që është perceptuar si me rrezikshmërinë më të vogël ligjore, nga katër çështjet gjyqësore me të cilat përballet zoti Trump, ku ndër të tjera akuzohet për mbajtjen dhe përdorimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara, apo komplotin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Kjo shtyrje në Uashington u njoftua ndërsa një gjykatë federale e apelit ende nuk ka vendosur për kërkesën e zotit Trump ku shprehet se ai gëzon imunitet nga hetimi për veprimet që ndërmori kur ishte president. Nuk është e qartë se kur mund të marrë vendim trupa gjyqësore e përbëre nga tre gjykatës, por nëse vendimi është në favor të vazhdimit të hetimeve të prokurorisë, atëherë pritet një tjetër apelim nga ekipi ligjor i zotit Trump, duke sjellë kështu shtyrje të mëtejshme.

Për të dyja palët, momenti kohor është shumë i rëndësishëm. Ish-presidenti Trump, i cili përballet me katër procese gjyqësore dhe 91 akuza penale, kërkon t’i shtyjë çështjet gjyqësore ndërkohë që gëzon statusin e kandidatit kryesor për president në garën brenda Partisë Republikane. Ndërkaq ekipi i prokurorit Smith shpreson në realizimin e një procesi përpara zgjedhjeve të nëntorit. Nëse zoti Trump rizgjidhet ndërkohë që çështja gjyqësore vazhdon, ai teorikisht mund të udhërojë Departamentin e Drejtësisë të tërheqë akuzat dhe mund të falë veten.

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ukraina: NATO mori vendime konkrete për mbrojtjen ajrore

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se samiti i 36-të i NATO-s në Ankara solli “rezultate konkrete” për forcimin e mbrojtjes ajrore të...
19:44 | 08/07/2026

Trump paralajmëron Iranin për sulme të reja: Do ta godasim fort sonte

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se forcat amerikane do të kryejnë sulme të reja ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani “e shkel marrëveshjen çdo...
19:39 | 08/07/2026

Shefi i OKB-së: Duhen 296 mln dollarë për të ndihmuar të mbijetuarit e tërmetit në Venezuelë

Shefi i ndihmave humanitare i OKB-së bëri thirrje të mërkurën për 296 milionë dollarë shtesë për të mbështetur të mbijetuarit e tërmetit në Venezuelë, duke...
19:34 | 08/07/2026