Skandali me Osmanin në Shkup, Presidenca e Kosovës: Nuk pranojmë baltosjen e vendit

6 Gusht 2024 | 11:13

Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish për skandalin në Maqedoninë e Veriut, ku Presidentes Vjosa Osmani ekipi i sigurimit në aeroportin e Shkupit tentoi t’i merrte telefonin personal për kontroll.

Përmes një njoftimi, Presidenca e Kosovës shkruan se Osmani asnjëherë nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç njihet në gjithë botën.

Po ashtu në njoftim thuhet se “Presidenca e Republikës së Kosovës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave”.

Në mbyllje të reagimit thuhet se Presidentja Osmani është e përkushtuar për raporte të mira mes dy vendeve, por nuk mund të pranojë baltosjen e Republikës së Kosovës.

Njoftimi i Presidencës së Kosovës:

Presidentja e Republikës së Kosovës ASNJËHERË nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.

Lista e shteteve të cilat i ka vizituar Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj si Presidente përfshinë SHBA-të, Shqipërinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Finlandën, Kanadanë, Kosta Rikën, Kroacinë, Danimarkën, El Salvadorin, Estoninë, Francën, Greqinë, Islandën, Japoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Moldavinë, Malin e Zi, Panamanë, Portugalinë, Katarin, Singaporin, Slloveninë, Spanjën, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vatikanin, etj. Të gjitha këto shtete, shumicën prej të cilave i ka vizituar disa herë gjatë mandatit, pa përjashtim, i kanë respektuar në plotni rregullat ndërkombëtare sa i përket trajtimit të kreut të shtetit, rrjedhimisht edhe të vet shtetit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e vendit përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë. Pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë Presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm.

Në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë. Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e Presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet). Siç shihet nga lista e lartpërmendur, kjo është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë.

Presidentja e Republikës së Kosovës kërkon respekt për shtetin që përfaqëson, pra Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me ngulm në përputhje me rregullat e parimet ndërkombëtare që rregullojnë raportet ndërmjet shteteve.

Raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë. Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës.

Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.

Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.

Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave.

Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vendimi për ish-krerët e UÇK-së do të merret brenda datës 20 korrik

Dhomat e Specializuara në Hagë ende mbesin brenda afatit të fundit 20 korrik për shpalljen e verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në...
19:20 | 25/06/2026

Ish-themeluesi UÇK-së, Xhavit Haliti: Goxhaj të tregojë kë ka pasur komandant

Xhavit Haliti, themelues i UÇK-së dhe politikan i njohur i PDK-së në Kosovë, ka folur për Euronews Albania këtë të enjte. Për moderatorin Thimi Samarxhiu,...
14:21 | 25/06/2026

Përplasje fizike mes 15 personash në Lipjan, shkak një pronë. 11 prej tyre përfundojnë në spital

Një mosmarrëveshje mes disa personash ka shellë një sherr masiv dhe përplasje fizike në Lipjan të Kosovës. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur...
09:52 | 25/06/2026