Socialistë dhe demokratë bashkohen për integrimin, zbardhet projektrezoluta që pritet të miratohet sot në Kuvend

14 Maj 2026 | 10:30

Komisioni për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme ka miratuar projektrezolutën “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, dokument i cili pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 14 majit 2026.

Rezoluta përcakton angazhimet politike dhe teknike të Kuvendit, si edhe detyrimet që i ngarkohen qeverisë në kuadër të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Në draftin e dakordësuar parashikohen disa prioritete kryesore për institucionin e Kuvendit, mes tyre avancimi i reformës zgjedhore përmes zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Po ashtu, dokumenti kërkon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura, me fokus te transparenca dhe llogaridhënia.

Në fushën e luftës kundër korrupsionit, Kuvendi angazhohet të mbështesë institucionet ligjzbatuese për konsolidimin e rezultateve kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Rezoluta ndalet edhe te liria e medias, duke parashikuar garantimin e kushteve profesionale për gazetarët dhe monitorimin e masave kundër dezinformimit.

Dokumenti i miratuar i ngarkon Këshillit të Ministrave një sërë detyrimesh konkrete në funksion të procesit të integrimit.

Qeveria do të duhet të raportojë periodikisht mbi ecurinë e përmbushjes së piketave për të gjithë grupkapitujt negociues, me fokus të veçantë te Grupkapitulli I “Themelorët”.

Rezoluta kërkon gjithashtu dedikimin e fondeve buxhetore për reformat e integrimit dhe përafrimin e ligjit për prokurimet publike me standardet e Bashkimit Evropian, me synim rritjen e konkurrencës dhe transparencës.

Në administratën publike, dokumenti nënvizon zbatimin e kriterit të meritës në rekrutime dhe rritjen e efikasitetit të strukturave negociuese.

Një tjetër pikë lidhet me mbrojtjen e mjedisit, ku kërkohet ruajtja e zonave të mbrojtura në përputhje me standardet evropiane.

Projektrezoluta përfshin edhe një klauzolë për bashkëpunimin politik mes palëve.

Mazhoranca angazhohet të garantojë kushtet për pjesëmarrjen e opozitës në jetën parlamentare, ndërsa opozita zotohet për pjesëmarrje të plotë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Të dyja palët kanë rënë dakord për forcimin e dialogut politik dhe kundërshtimin e çdo nisme që, sipas dokumentit, devijon nga kursi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas projektrezolutës, progresi i vendit në procesin e integrimit do të vlerësohet mbi bazën e meritës dhe arritjeve të verifikueshme, në përputhje me raportet e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian për vitin 2026.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama shpërndan deklaratën e avokatit: Një hap konstruktiv, nuk kemi kohë të humbim me BE-në! Protesta duhet të dialogojë me qeverinë

Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e kësaj të enjteje duke shpërndarë deklaratën e avokatit Dorian Matlija, i cili sqaroi se distancohet nga disa forma përfaqësimi...
22:39 | 02/07/2026

Qytetarët marshim në rrugët e Tiranës, protestë para komisariatit nr. 3: Lironi çunat (VIDEO)

Mbrëmjen e kësaj të enjte ka nisur marshimi i qytetarëve. Pas qëndrimit prej gati 2 orësh para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar me agjendën e tyre...
21:59 | 02/07/2026

Rama reagon sërish për protestën: Dhuna fizike, e vetmja gjë që mund të prodhojë “korja e zezë”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestën e kësaj të enjteje para Parlamentit, e cila u shoqërua me përplasje mes policisë dhe...
20:49 | 02/07/2026