Sondazhi i Audience Research: Shqiptarët ndër mbështetësit më të fortë të NATO-s

15 Shtator 2025 | 21:41

Qytetarët shqiptarë vijojnë të jenë ndër mbështetësit më të vendosur të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Sipas sondazhit më të fundit të realizuar nga NATO Audience Research për tremujorin e dytë të vitit 2025, NATO shihet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve si një garanci kyçe për sigurinë e vendit.

Referuar të dhënave, 91% e qytetarëve shqiptarë do të votonin për të qëndruar në NATO në rast se do të mbahej një referendum – një përqindje shumë më e lartë se mesatarja e vendeve të Aleancës, ku 68% shprehen pro qëndrimit dhe 15% për dalje.

Mbështetja e lartë ndaj NATO-s reflektohet edhe në perceptimin për rolin e saj në të ardhmen. 63% e shqiptarëve deklarojnë se Aleanca është shumë e rëndësishme për sigurinë e ardhshme të Shqipërisë, duke nënvizuar një nivel të lartë ndërgjegjësimi strategjik në publik.

Në të njëjtën linjë, 67% e të anketuarve besojnë se Shqipëria duhet të mbrojë një shtet aleat të NATO-s nëse ky i fundit sulmohet, duke konfirmuar gatishmërinë e qytetarëve për të mbështetur parimin e mbrojtjes kolektive, që përbën themelin e Aleancës.

Perceptimi pozitiv ndaj NATO-s lidhet ngushtë edhe me sigurinë kombëtare. 78% e shqiptarëve mendojnë se anëtarësimi në Aleancë e bën më të pamundur një sulm të huaj ndaj Shqipërisë.

Kjo përqindje është ndër më të lartat në të gjithë Aleancën, duke theksuar ndjesinë e mbrojtjes që NATO i garanton vendit.

Sondazhi sjell në vëmendje edhe qëndrimin e publikut shqiptar ndaj çështjeve të mbrojtjes. 69% mbështesin rritjen e shpenzimeve ushtarake, një nivel ndjeshëm më i lartë se mesatarja e NATO-s, që qëndron në 41%.

Vetëm 11% e shqiptarëve janë kundër rritjes së buxhetit të mbrojtjes.

Për më tepër, 73% e qytetarëve shprehen në favor të rritjes së prodhimit të mbrojtjes kombëtare, si një mjet për të përmirësuar aftësitë ushtarake dhe gatishmërinë e përgjithshme. Ndërkohë, vetëm 6% kundërshtojnë këtë qasje.

Në lidhje me luftën në Ukrainë, 55% e shqiptarëve mbështesin vazhdimin e ndihmës ndaj Kievit.

Sakaq, niveli i shqetësimit për një luftë në vendet e NATO-s ka rënë ndjeshëm krahasuar me sondazhet e mëparshme: vetëm 65% e shqiptarëve shprehen të shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm në territorin e Aleancës.

Shqiptarët vazhdojnë të dallohen si një ndër popujt më besnikë ndaj NATO-s, duke treguar një nivel të lartë besimi, përkushtimi dhe ndërgjegjësimi strategjik për rolin e Aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë.

Në një kontekst të pasigurt global, ky sondazh konfirmon se për shqiptarët, NATO mbetet një partner i pazëvendësueshëm për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Karamuço komenton protestën te Parlamenti: Nuk duhet kaluar kufiri drejt destabilizimit të vendit

Ervin Karamuço ka komentuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” protestën e zhvilluar para Kuvendit këtë të martë, duke analizuar sjelljen e protestuesve dhe reagimin...
22:24 | 30/06/2026

Stuhi e fortë në Vranisht, Lumi i Vlorës përfshihet nga reshje intensive dhe erë e fuqishme (VIDEO)

Një stuhi e fortë ka përfshirë pasditen e së shtunës zonën e Lumit të Vlorës, konkretisht fshatin Vranisht, duke sjellë reshje intensive shiu dhe erë...
20:39 | 30/06/2026

Temperaturat e larta në Elbasan, mjekja: Fëmijët, të moshuarit dhe punëtorët më të rrezikuarit nga i nxehti

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Elbasanin po sjellin një rritje të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore, veçanërisht mes grupeve më të rrezikuara. Vetëm gjatë...
20:31 | 30/06/2026