SPAK ka dërguar për gjykim grupin e Laert Haxhiut, grup kriminal i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale.
Ngjarjet u zbardhën pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.
Në krye të këtij grupi të strukturuar kriminal qëndron personi nën hetim, Laert Haxhiu, i cili e drejton dhe organizon atë, kurse pjesëtarë të këtij grupi janë të pandehurit Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini.
Ky grup i strukturuar kriminal akuzohet se ka kryer veprat penale si më poshtë:
“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Arian Aliço, ngjarje e ndodhur më datë 05.04.2021 në Lushnjë;
“shkatërrimi i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasve, Besnik Çoku dhe Erion Çoku, ngjarje e ndodhur më datë 29.05.2021, ora 02:15, lagjia “Gafurr Muço”, pallati Nr.4, Lushnjë;
“vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më datë 01.06.2021, ora 21.15, në Tepelenë;
“vrasje me paramendim” e ndodhur më datë 02.06.2021, me viktimë Fridman Xhaferraj, trupi i të cilit u gjet i pajetë më datë 13.06.2021, tek rezervuari i Gjançit, në Korçë;
“vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali), ngjarje e ndodhur në lagjen Çezme, Peqin, më datë 17.10.2021;
“vrasje për gjakmarrje” me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
“vjedhje me armë” e automjetit të Gëzim Çepele, më datë 27.01.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë karburant-bar-restorant Palmanova,Tiranë;
“vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të Kujtim Meta, e kryer për interes, e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnje;
“shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bashkim Rajku e Rigels Rajku (Noizy), ngjarje e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës;
“shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më datë 01.11.2022, në Lushnje;
“shkatërrim i pronës me eksploziv” sërish në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku, ngjarje e ndodhur më datë 31.12.2022, në Lushnje;
“vjedhje me armë” e automjetit në pronësi të Marjus Zejneli, e ndodhur më datë 22.02.2023, në Sallmone, Shijak (Durrës);
“sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Genci Hidës në Lushnjë, në periudhën prill-maj 2023;
“mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në mjedise të hapura për publikun;
“mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’’në sasi të mëdha;
Krahas pjesëtarëve të grupit kriminal të përshkruar më sipër, hetimi ka provuar përfshirjen në kryerjen e krimeve edhe të të pandehurve si më poshtë:
I pandehuri Bujar Abedini, akuzohet për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit”, e ndodhur më datë 01.06.2021, rreth orës 21:15, në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Çajup Selimi;
I pandehuri Mariglen Topuzi, akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e kryer në dëm të Fridman Xhaferraj, më datë 02.06.2021, trupi i të cilit u gjet më pas (datë 13.06.2021) tek rezervuari i Gjançit;
I pandehuri Idriz Manej akuzohet për veprën penale “moskallëzimi i krimit’’, i vrasjes së Fridman Xhaferaj, ndodhur më datë 02.06.2021 në Korçë, trupi i të cilit u nxorr pas disa ditësh nga rezervuari i Gjançit;
I pandehuri Enriko Xhahysa, akuzohet si bashkëpunëtor me Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Laert Haxhiu etj persona të paidentifikuar, në vrasjen për gjakmarrje në dëm të Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
I pandehuri Bledar Berberi akuzohet dhe për “mbajtje pa leje e ofrim për shitje të armëve e municionit’’, para ngjarjes së datë 27.12.2021, në Gjocaj, Peqin, ku u vra Albi (Dijonist) Bashaliu;
I pandehuri Artan (Marjus) Tafani akuzohet për kryerjen i vetëm të veprave penale “vjedhje me armë” e pikës së këmbimit valutor, në pronësi të Shezai Çobo, në rrugën Tom Plezha, Astir, Tiranë, më datë 24.06.2023 dhe “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, në mjedise të hapura për publikun, në rastin arrestimit të Artan (Marjus) Tafani, më datë 24.09.2023, tek Hotel “Rio”, në autostradën Lushnje-Fier, lagjia Saver.
“Është dokumentuar se aktiviteti kriminal i këtij grupimi të strukturuar është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, kur dhe arrestohet në Greqi, drejtuesi dhe organizatori i këtij grupimi kriminal, Laert Haxhiu – personi ndaj të cilit vijojnë hetimet, pas ekstradimit të tij nga Greqia. Laert Haxhiu, organizatori dhe drejtuesi i këtij grupimi kriminal, ku bënin pjesë edhe të akuzuarit; Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini, e filloi ndërmarrjen e akteve kriminale ndaj jetës, shëndetit dhe pronës së viktimave të krimeve, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij (djalit të xhaxhait) Klodian Haxhiut, të ndodhur vite më parë dhe pas arrestimit lidhjeve të tij të ngushta shoqërore, shtetasve Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili. I drejtuar dhe e organizuar nga Laert Haxhiu, grupimi i tij kriminal ndërmori akte konkrete kriminale për vrasjen e personave, të cilët i mendonte si pjesëtarë të grupimit kriminal të Aldo Bares, për të cilët besonte se kishin qenë të përfshirë në vrasjen e kushëririt të tij. Aktet kriminale të këtij grupimi të strukturuar nuk synuan vetëm jetën dhe shëndetin e kundërshtarëve të supozuar, por dhe shkatërrimin e pronës së tyre si dhe akte vjedhjeje të pronës me përdorim të armëve. Përveç vrasjeve të Çajup Selimit e Albi (Dijonist) Bashaliut, të gjitha krimet e tjera të lartpërmendura janë organizuar, shtyrë dhe ekzekutuar në shenjë hakmarrjeje dhe për të njëjtat motive”, thuhet më tej në njoftimin e SPAK.