Spitali i Traumës ka reaguar lidhur me rastin e 14-vjeçarit të plagosur në ngjarjen tragjike ku humbi jetën Martin Cani disa ditë më parë në Tiranë.
Përmes një njoftimi për mediat bën me dije se 14-vjeçari Luis M, i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, ka marrë mjekimin e nevojshëm nga ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavijonin e Kirurgjisë së Përgjithshme.
“Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14-vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.
Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës”, thuhet në reagimin e spitalit të Traumës.
Ky reagim vjen pas hapjes së një gofundme me një vlerë prej 80 mijë eurosh për trajtimin e mëtejshëm të të miturit, ku deri tani është grumbulluar një shumë mbi 70 mijë euro.
LEXONI GJITHASHTU:
- EKSKLUZIVE/ Flet për herë të parë për ‘Review’ Luis Meçe: Më gjuajti me thikë 6 herë
- U qëllua me thikë në zemër nga bashkëmoshatari, ndërron jetë 14-vjeçari në Tiranë