Sulm me armë zjarri në Jerusalem: 5 të vdekur dhe dhjetra të plagosur

8 Shtator 2025 | 12:26

Pesë persona kanë humbur jetën dhe të paktën 12 të tjerë janë plagosur, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë, në një sulm me armë zjarri të ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në kryqëzimin Ramot të Jerusalemit, një nga nyjet kryesore në pjesën veriore të qytetit.

Sipas policisë izraelite, dy “terroristë” të armatosur hapën zjarr drejt një stacioni autobusi në kryqëzim. Autorët e sulmit hynë edhe në një autobus publik dhe qëlluan ndaj pasagjerëve dhe kalimtarëve të rastësishëm.

Shërbimi i ndihmës së shpejtë Magen David Adom bëri me dije se viktima e pestë ndërroi jetë në spital, ndërsa të plagosurit e tjerë u evakuuan drejt spitaleve të Jerusalemit, ku shtatë prej tyre ndodhen në kujdes intensiv.

Policia raportoi se sulmuesit u neutralizuan menjëherë pas nisjes së të shtënave, por identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike. Sipas mediave izraelite, autorët përdorën një mitraloz të improvizuar “Carl Gustav” ose “Carlo”, i cili përdor municion 9 mm dhe është i ngjashëm me armën Uzi të prodhuar në Izrael. Arma e improvizuar mund të ndërtohet nga pushkët M4 të humbura ose të vjedhura dhe është përdorur më parë nga Brigadat al-Qassam të Hamasit, njësitë Al-Quds të Xhihadit Islamik, si dhe nga grupe kriminale në Amerikën e Jugut dhe Karaibe.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se ai ka zhvilluar një vlerësim urgjent të situatës me drejtuesit e lartë të sigurisë menjëherë pas ngjarjes. Policia dhe forcat e sigurisë po monitorojnë zonën, ndërsa njësitë e çminimit dhe ekipet kriminalistike po mbledhin prova. Njësitë ushtarake izraelite janë dërguar gjithashtu në afërsi të Ramallahut në Bregun Perëndimor si pjesë e operacioneve të menjëhershme të sigurisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarre të mëdha në Kanada, përfshihet nga flakët dhe një tren mallrash me punëtorë brenda

Një tren mallrash në Kanada është përfshirë nga flakët për shkak të një zjarri të madh. Sipas mediave ndërkombëtare, punëtorët sapo janë përfshirë nga zjarri...
19:40 | 15/07/2026

Gjermania rrit ndjeshëm taksën mbi duhanin, një paketë pritet të shkojë 12 euro

Qeveria gjermane planifikon të rrisë taksën mbi produktet e duhanit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik...
18:29 | 15/07/2026

Kremlini hedh poshtë akuzat e Lituanisë për sulme: Histori të hartuara për shpëlarjen e trurit të popullsisë

Kremlini hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Lituanisë se Moska po planifikon sulme ndaj infrastrukturës së vendit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar...
18:03 | 15/07/2026