English

Sulmi në infrastrukturën jetike të Kosovës, të gjitha detajet e reagimet

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi mbrëmje e së premtes në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut duke dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

- Advertisement -

Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se i ka rritur masat e sigurisë në nivel vendi.

Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Dëmi u konsiderua serioz dhe u shkaktuan ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Nga Prishtina, në një konferencë urgjente, kryeministri Albin Kurti tha se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia”, tha ai.

Sulmin e 29 nëntorit e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj., pas sulmit në Zubin Potok ku për shkatërrimin e kanalit të Ibër-Lepencit janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv.

“Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, të mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Kurse, kryeministri Kurti sot njoftoi se punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve tona po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në riparimin e dëmit të shkaktuar.

Ndërkohë, policia e Kosovës sot po zhvillon një aksion në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut. Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei. Presidentja ishte paraparë të udhëtonte sot në mëngjes për Brunei.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë ka dënuar sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, i cili ka prekur furnizimin me ujë dhe ka rrezikuar shtëpitë vendase.

“Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të kërkuar llogari përgjegjësit e këtij sulmi”, thuhet në reagim.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka dënuar ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, thuhet në postimin e Begajt në Facebook.

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

A mendoni se dhënia e 2 bonuseve për pensionistët këtë vit lidhet me fushatën elektorale?