Sveçla: Bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiçit, pjesëmarrës në sulmin në Banjskë

8 Tetor 2023 | 18:10

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiçit i cili “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

“Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiç ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës. Ministri kosovar tha gjithashtu se Jevtiç është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij i përfshirë në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë. Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues. Kosova ka fajësuar për këtë sulm që e cilëson terrorist Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiçit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.

Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosova shpall “Non Grata” ministren serbe pas deklartatës skandaloze për spastrim etnik

Kosova e ka shpallur person “të padëshirueshëm” dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin nëpër vend ministres serbe Snezhana Paunoviq, pasi ajo tha ditë...
21:31 | 14/07/2026

Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç

Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e...
17:09 | 14/07/2026

Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin për Kryeprokuror Shteti

Një ditë pas nominimit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar të martën Zejnullah Gashin për t’ia dorëzuar dekretin për Kryeprokuror...
16:45 | 14/07/2026