Takoi Thaçin në Hagë, Rama: Po luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare

18 Dhjetor 2025 | 12:54

Kryeministri Edi Rama udhëtoi të enjten drejt Hagës ku takoi ish-presidentin Hashim Thaçi i cili prej 5 vjetësh qëndron në qeli bashkë me ish-krerë të tjerë të UCK nën akuzë për krime lufte.

Në një postim në rrjetet sociale të cilin e shoqëron me një foto ku shihet duke dalë nga Gjykata e Hagës, Rama e cilëson një godinë ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin.

“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.

E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”.

Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë.

Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, shkruan Rama në Facebook.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Si ikën Rama? Xhafo zbulon 2 mënyrat dhe bën llogarinë e mandateve…

Gazetari Endri Xhafo i ftuar këtë të enjte në “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur mbi mënyrat se si kryeministri Edi Rama...
22:22 | 16/07/2026

“Drafti i Spiropalit”, Manjani: Nuk është projekt politik

Juristi Ylli Manjani këtë të enjte i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me mocionin e dorëzuar në...
21:51 | 16/07/2026

Dita e 47-të, qytetarët njoftojnë protestë para Parlamentit më 23 korrik. Nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 47-të. Pas qëndrimit para Kryeministrisë, ka nisur marshimi në rrugët e...
21:26 | 16/07/2026