Talebanët festojnë trevjetorin e marrjes së pushtetit në Afganistan
Talebanët e kanë shënuar përvjetorin e tretë të ngjitjes në pushtet në Afganistan përmes një parade ushtarake, pavarësisht se grupet ndërkombëtare të ndihmës vlerësojnë se në këtë shtet ekziston një prej krizave humanitare më komplekse.
Talebanët e kanë marrë kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, Kabulit, më 15 gusht 2021, pas rënies së Qeverisë së përkrahur prej Shteteve të Bashkuara, dhe ikjes së liderëve prej vendit.
Qeveria e talebanëve vazhdon të mos njihet prej asnjë vendi në botë.
Kufizimet e vendosura ndaj grave janë një prej pikave më problematike, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë “aparteid gjinor”.
Ngjitja e talebanëve në pushtet shënohet në mesin e muajit gusht, periudhë e rënies së Kabulit, por edhe në fund të gushtit, kur janë larguar trupat e fundit ndërkombëtare prej Afganistanit.
Largimi i trupave ndërkombëtare më 2021, sipas një marrëveshjeje të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve më 29 shkurt 2020, u ka mundësuar talebanëve kthimin në pushtet pas 20 vjetëve.
Talebanët janë rrëzuar prej pushtetit në Afganistan, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Parada ushtarake e 14 gushtit është mbajtur në bazën ajrore Bagram, rreth 40 kilometra larg Kabulit, ku dikur janë strehuar forcat ushtarake amerikane.
Pjesë e audiencës kanë qenë rreth 10.000 burra dhe asnjë grua.
Ushtarët janë parë me pajisje ushtarake të braktisura prej forcave amerikane dhe atyre të NATO-s: obusë dhe tanke.
Mohammad Hassan Akhund, i cili mban pozitën e kryeministrit, i ka lavdëruar talebanët, për siç ka thënë, fitoren e autoriteteve të talebanëve ndaj “pushtuesve perëndimorë”.
Sipas një deklarate të lëshuar prej zyrës së tij, ai ka thënë se Qeveria e talebanëve “e ka përgjegjësinë për zbatim të ligjit islamik, ruajtjes së pronës, jetës së njerëzve dhe për respektim të kombit tonë”.
Megjithatë, organizatat ndërkombëtare të ndihmës besojnë se miliona afganë përballen me “një prej krizave humanitare më të mëdha dhe më komplekse në botë, tri vjet pas ndryshimit të regjimit”.
Sipas tyre, 23.7 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë në Afganistanin me 40 milionë banorë.
Më shumë se 6.3 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda Afganistanit, ndërsa shifrat e papunësisë janë alarmante.
Gratë vlerësohet se vuajnë më së shumti prej këtij regjimi.
Prej ardhjes së talebanëve në pushtet, grave u është zvogëluar qasja në jetën publike – shumë vende pune, parqet dhe palestrat – si dhe u është ndaluar shkuarja në shkollë pas klasës së gjashtë.
LEXONI GJITHASHTU:
Sulmet me dronë ukrainasë goditën rafineritë jugore ruse dhe portin e Azovit
Festimet për fitoren e Francës kthehen në tragjedi, 17-vjeçarja bie nga kamioni dhe shtypet prej tij
Trump: Ja udhëzimi që kam lënë nëse Irani ndërmerr një sulm ndaj meje
- 19:39 Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbyllin të martën kapituj të tjerë në bisedimet për anëtarësim në BE
- 19:37 Sulmet me dronë ukrainasë goditën rafineritë jugore ruse dhe portin e Azovit
- 19:34 Shtetet baltike thërrasin të dërguarit rusë për pretendime të rreme për deportim
- 19:11 Festimet për fitoren e Francës kthehen në tragjedi, 17-vjeçarja bie nga kamioni dhe shtypet prej tij
- 19:05 Vuçiç tregon kur do ta lërë presidencën: Mund të kandidoj për kryeministër
- 19:03 Vritet ish-deputetja e njohur britanike, arrestohet një autor i dyshuar