English

Taylor Swift: Në samitin akademik “Swiftposium” të parë në botë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Nga Tiffanie Turnbull

- Advertisement -

Nga momenti që luajti për herë të parë Fearless në CD playerin e saj kur ishte 14 vjeç, Georgia Carroll ka qenë e fiksuar me Taylor Swift.

Një dekadë e gjysmë më vonë, ajo konsiderohet si personi i vetëm në botë me një PhD për yllin e muzikës.

Vlerësimi i saj? “Për momentin, nuk do ta ekzagjeroja po të thoja se [Swift] është një nga njerëzit më të pushtetshëm në botë.”

Kjo është arsyeja përse Dr. Carroll është ndër ekspertët që kanë mbërritur në Melburn këtë javë për një simpozium akademik ndërkombëtar që përpiqet të shpjegojë si Swift është bërë kaq ndikuese.

Eventi – i pari në llojin e tij – do të ngrejë siparin e turit Eras në Australi, dhe ka tërhequr më shumë se 400 aplikime nga dhjetëra disiplina studimi dhe institucione akademike në të gjithë botën – duke nxitur ekzaltim dhe tituj globalë.

“Nisi si shaka”

Ideja për “Swiftposium” lindi korrikun e kaluar si një postim me shaka me vetëm disa pëlqime. Por kur organizatorët njoftuan me qetësi për eventin disa muaj më vonë, ai u bë viral brenda natës.

Organizatorët u zgjuan dhe panë se lajmin e kishte mbuluar BBC, revista Rolling Stone, CNN.

“Mendova se duhet t’i çoja email shefit tim,” thotë Dr. Eloise Faichney me një buzëqeshje. “Konferenca jonë e vogël krejt papritmas mori dheun.”

Fansat ishin të dëshpëruar për të marrë pjesë, dhe të dielën, qindra njerëz – reklama në ecje për xhevahirë, çizme cowboy dhe buzëkuqin e kuq të Swift – u dyndën drejt Teatrit ikonë Capitol në Melburn për  të dëgjuar leksione për superyllin.

Në një punishte për bërjen e byzylykëve të miqësisë që u shit i gjithi paraprakisht, 19-vjeçari Soumil thotë se eventi – i organizuar nga Universiteti RMIT – po ndihmon të mbyllë plagët e lëna nga kasaphana e vitit të kaluar për të gjetur një biletë.

“Është qejf të jesh pjesë e kësaj,” thotë ai për BBC.

Por organizatorët me shpejtësi sqaruan se konferenca – e mbështetur nga shtatë universitete të Australisë dhe Zelandës së Re – nuk është një mbledhje fansash.

“Edhe pse disa prej nesh jemi fansa, ne po përpiqemi ta trajtojmë atë seriozisht në aspektin akademik,” thotë Dr. Emma Whatman.

“Kjo nuk do të jetë një festë pa kritika.”

Ndikimi “hyjnor”

Nuk mund të mohohet se “Taylor Mania” ka rrëmbyer gjithë botën në vitin e kaluar – ajo u shpall Njeriu i Vitit 2023 nga revista Time – dhe është e paqartë kur mund të shuhet kjo.

Të hënën, 34-vjeçarja mbushi titujt kryesorë sërish me foto të sajat dhe të dashurit futbollist Travis Kelce, i cili fitoi Super Bowl. Javën e kaluar, ajo triumfoi në Grammys, duke marrë për herë të katërt çmimin për albumin e vitit.

Edhe macet e saj, publicisti dhe miqtë e saj të fëmijërisë njihen dhe kanë ndjekës besnikë.

“[Swift] është bërë superylli më hyjnor në planet, shumë më e madhe sesa e kisha menduar të mundur,” tha në konferencë folësja Brittany Spanos – një reportere e Rolling Stone, që në 2020 dha kursin e parë në universitet për idhullin.

Por Swift e ka gjetur veten shpeshherë në qendër të momenteve të rëndësishme kulturore dhe debateve, që kur u bë e famshme si adoleshente.

Ajo është bërë një nga artistet më të paguara dhe më të dashura të të gjitha kohërave – duke nxitur debate për çdo gjë nga honorarët e shpërndarjes së muzikës dhe pronësisë te misogjinia dhe kultura e anulimit.

Samiti natyrisht që ka një panel të tërë kushtuar “Swiftonomics” – një fjalë e krijuar për të shpjeguar ndikimin e saj të jashtëzakonshëm mbi ekonominë, që ka bërë që çdo udhëheqës botëror t’i lutet asaj të bëjë koncerte në vendet e tyre.

Por ka gjithashtu ekspertë që sqarojnë se si hitet e saj po përdoren për të stërvitur të rinjtë në ndihmën e shpejtë dhe diskutimi plot emocione sesi romanca e saj me Kelce po i ndihmon vajzat të ndihen rehat në një grup fansash tradicionalisht të mbizotëruar nga meshkuj në sporte.

Ka madje edhe analiza të sjelljeve të saj për transportin publik (në mënyrë ironike, ndërkohë që është shtuar përdorimi i avionit të saj privat në jetën reale, po ashtu edhe këngët që i referohen trenave dhe autobusëve, vëren Harrison Croft.

Dhe kur audienca u lodh duke dëgjuar fjalimet, ata u gostitën me një duet midis një muzikanteje të kthyer në akademike dhe një kloni tmerrësisht të ngjashëm nga Inteligjenca Artificiale me zërin e Swift në rini – për të treguar si ka ndryshuar tingulli i saj në 17 vitet e fundit.

Për të apasionuarit e letërsisë, në konferencë ishte edhe një dyshe nënë-bijë që lexuan poezi për mospërfilljen që bota tregon ndaj interesave të vajzave të reja – një pikë që tërhoqi reagime nga të pranishmit. Dhe për ata që duan politikën, një akademike e cila tregoi si deputetët australianë përdorin Swift për të ngjitur në publik.

Madeline Pentland, 27 vjeç. Gjeti më shumë se 30 fjalime që citonin tekstet më ikonë të saj – përfshi dhe një performancë të pacipë nga drejtori i thesarit të Uellsit të ri Jugor, që përdori deri në 20 referenca në një fjalim të vetëm.

Ajo zbuloi se burrat kanë më shumë gjasa që ta citojnë këngëtaren, por ata priren t’i përdorin tekstet në sulme politike apo tallje, ndërsa gratë kanë më shumë gjasa t’i përdorin si argumente mbështetëse në debate.

Por Pentland u argëtua më së shumti kur i gjeti të përdorura gjatë një prej aktiviteteve të preferuara të politikës australiane – asgjësimit të liderëve.

Gjithsesi, ajo vëren me keqardhje disa mundësi të humbura: “Do kisha menduar se do kishte pak Gjak të Prishur [Bad Blood] aty-këtu, por nuk gjeta asnjë referencë!”

Një tjetër dyshe është marrë me mënyrën si Swift është kthyer në magnet për komplote – nga fansat delirantë që interpretojnë aludimet e saj strategjike deri te personazhet e të djathtës që interpretojnë thuajse çdo gjë.

Vetëm në ditët e fundit, Presidenti amerikan Joe Biden ka hedhur poshtë hamendësimet se jeta romantike e Swift është pjesë e një komploti për të manipuluar Super Bowl dhe për ta ndihmuar atë të rizgjidhet, ndërsa fansat e saj bindnin këdo me një shërbim interneti që ri-regjistrimi i albumit Reputation është i pashmangshëm.

Clare Southerton është e interesuar në atë që mund të na mësojë komuniteti në zgjerim i komploteve.

“Ka ndryshim midis ‘Oh, shiko, fustani blu nënkupton se 1989 është e radhës’… dhe të qenit terrorist, por na ndihmon ne të kuptojmë përse e shijojnë njerëzit këtë?” thotë 35-vjeçarja për BBC.

Ka pasur edhe debate të pakëndshme sesa të pafalshëm mund të jenë fansat e Swift, si muzika e saj reflekton kolonializmin, dhe zgjedhja e saj e debatueshme si një personazh negativ i emetimeve të shkaktuara nga transporti.

Akademikja nga Singapori, Aimee-Sophia Lim – e cila studion si artistja po frymëzon aktivizmin politik në Azinë Juglindore – thotë se është shumë fanse, por ajo shpesh herë zhgënjehet nga “feminizmi amerikan dhe i bardhë” i Swift.

“Ndoshta njerëzit me ngjyrë dhe ata që vijnë nga Jugu Global duhet të jenë personat që të ngrenë zërin për veten dhe komunitetet e tyre… por ndikimi i Taylor është i pamohueshëm,” thotë 23-vjeçarja nga Singapori për BBC.

“Do të ishte fantastike nëse ajo e zgjeron aktivizmin e saj, që ndoshta t’i jepte një platformë njerëzve të tjerë që mund të flasin në emër të tyre.”

Si u bë ajo kaq e pushtetshme?

Jo të gjithë janë kaq të përfshirë.

Sabrina – e cila do arratiset nga qyteti kur turi Eras të vijë në vendin e saj – thotë se nuk mund ta kuptojë nivelin e çmendur të ndikimit të Swift.

“Nuk e kuptoj gjithë zhurmën… realisht nuk e kuptoj çfarë po ndodh,” i thotë ajo BBC.

Por Dr. Carroll thotë se kjo lidhet me imazhin që Swift ka ndërtuar, dhe me “lidhjen intensive” që ajo ka arritur të kultivojë me fansat e saj – shumë prej të cilëve ndihen sikur janë rritur me të.

“Taylor e ka shpenzuar gjithë karrierën e saj duke i bërë fansat të mendojnë se mund të jenë miqtë e saj,” thotë ajo për BBC.

“Ajo i ka bërë të gjitha këto gjëra që i bëjnë fansat të duan të sillen në një mënyrë që ajo t’i pëlqejë,” duke shtuar se hera-herës kjo mund të çojë në sjellje shqetësuese – si prishja e dasmave të miqve të saj, shpenzimi i dhjetëra mijëra dollarëve për produkte dhe bileta, dhe fiksimi me çdo lëvizje të saj.

Përgjatë simpoziumit – të organizuar nga Universiteti i Melburnit – njerëzit e kanë krahasuar Swift me Elvis, Michael Jackson, Madonna dhe Beyoncé.

Është vështirë ta krahasosh me artistë të periudhave të ndryshme, thotë folësja Spanos për BBC, por ajo është padyshim personi më i përfolur në planet për momentin.

“Ajo do të konsiderohet kantautorja më e madhe e brezit të saj… dhe një nga kantautoret më të mëdha të të gjitha kohërave.”

Dr. Carroll argumenton se Swift vërtet ka mundur ta çojë famën në një tjetër nivel – falë bazës së gjerë dhe shumë të motivuar të fansave.

“[Për artistë të tjerë], sfera e tyre e ndikimit nuk del shumë jashtë bazës së tyre të fansave. Por kjo nuk është më e vërtetë për Taylor.”

Dhe është zbavitëse – dhe e vonuar prej kohësh – fakti që njerëzit janë të interesuar për këtë, thotë ajo.

Një vit më parë, kur mori doktoraturën, njerëzit qeshën me temën e saj të studimeve. Tani ajo po mban fjalim në një nga konferencat akademike më të reklamuara në botë.

“Është pak a shumë, o Zot, të gjithë po shohin!” thotë ajo. “Është ajo ndjesia se po të njohin dhe po e pranojnë se hulumtimi im ka një vlerë.”

“Nuk do ulemi vetëm bisedojmë si fanse në këtë konferencë – kjo do të ndodhë – por ka kaq shumë gjëra që mund të nxjerrim për botën duke e studiuar atë.”/ Marrë nga BBC

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?