Të gjithë kanë të drejtë të kenë shtetësi!
Kishte punuar gjithë vitin për të kursyer para për të blerë libra, mjetet shkollore, çantën dhe veshje për të çuar djalin në shkollë, por e pati të pamundur pasi nuk e kishte regjistruar në gjendjen civile. Ky është rasti i një nëne 29 vjeçare të komunitetit rom, që nuk pranoi të identifikohet, por që na rrëfeu historinë e saj. Duke punuar në të zezë ajo ja doli të përmbushte detyrën si nënë, por pavarësisht përpjekjeve të saj, i biri e humbi një vit shkollor, pasi nuk figuron në asnjë regjistër zyrtar. Djali i saj duhet të regjistrohej në shkollën “Hasan Vogli” në Tiranë, por problemet në dokumentacion nuk e bënë të mundur. Ndërkaq burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se në raste të tilla, drejtoria e shkollës vë në dijeni drejtorinë arsimore të qarkut dhe Ministria vë në lëvizje institucionet përkatëse për të bërë të mundur regjistrimin.
Ky rast nxjerr në pah një ndër problemet kryesore të komunitetit rom, mos-identifikimin e një pjese të tyre. Për këtë arsye nuk dihet saktësisht as se sa është numri i romëve dhe egjiptianëve në vendin tonë.
Të dhënat e vetme zyrtare janë ato që vijnë nga censusi I fundit që është realizuar në vitin 2011 dhe sipas tyre të regjistruar në vendin tonë janë 8 301 romë dhe 3 368 egjiptianë, gjithsej 11 669 persona të këtij komuniteti, por besohet se ky numër është shumë më i lartë, dhe mund të arrijë deri në 115.000 mijë, që përbën 4 % të popullsisë së vendit tonë.
Sipas Kodit të Familjes, regjistrimi i lindjeve në Republikën e Shqipërisë është i lidhur ngushtë me krijimin e amësisë dhe atësisë dhe kërkohet një procedurë gjyqësore në rastin e fëmijëve të lindur jashtë martese. Në mënyrë që të shmangin hapjen e procedurave komplekse gjyqësore, disa familje zgjedhin të mos regjistrojnë fëmijët e tyre derisa të zgjidhen mosmarrëveshjet familjare në pritje. Disa raste përfshijnë të rritur që nuk mund të regjistrohen për shkak të mohimit ose konfuzionit të amësisë / atësisë. Me rishikimin e Ligjit për Regjistrimin Civil, i cili hyri në fuqi në Tetor 2018, korniza ligjore rregullon çështje të tilla. Sidoqoftë, ekziston nevoja për të finalizuar çështjet në pritje dhe për të siguruar monitorimin e zbatimit të tij, veçanërisht zbatimin e një serie të madhe të udhëzimeve të hartuara dhe hyrjen në fuqi në 2019. Një kategori tjetër e prekur nga rreziku i pashtetësisë janë migrantët shqiptarë, që kanë lindur fëmijët e tyre jashtë vendit por nuk kanë mundur të përfundojnë regjistrimin e lindjes së tyre. Kjo popullatë ka të drejtë për kombësi shqiptare me ligj, por nevoja për ndërhyrje në gjykatë dhe / ose ndjekje të tjera administrative i ndalon ata të regjistrohen. Disa kategori të fëmijëve të kthyer janë në rrezik të pashtetësisë në Republikën e Shqipërisë. Këto përfshijnë fëmijë që nuk janë regjistruar në regjistrat e lindjeve dhe fëmijë me shtetësi të papërcaktuar. Shumica dërrmuese e këtyre fëmijëve i përkasin komunitetit Rom, i cili jeton në varfëri të thellë dhe përjashtim shoqëror dhe përjeton trajtim diskriminues në pothuajse çdo fushë të jetës.
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile nuk iu përgjigj interesit të Euroneës Albania për numrin e përfaqësuesve të komunitetit rom dhe egjiptian në vendin tonë. Ndërkaq Ola Tare, drejtuese e qendrës Treja thotë se përveçse nuk ka një shifër të saktë ka edhe mospërputhje të shifrave mes institucioneve.
Qendra T’REJA është krijuar ne vitin 2017 dhe ka si mission, fuqizimin e familjeve të varfëra, në nevojë, për tê kërkuar dhe realizuar të drejtat e tyre duke ndërmarrë veprime dhe iniciativa të cilat lehtësojnë aksesin në shërbime dhe në të drejta, me qëllim përmirësimin e jetesës, nivelit arsimor, strehimit, shëndetit dhe pozitës së tyre në shoqëri.
“Aktualisht nuk ka një shifër të saktë mbi numrin e romëve dhe egjiptianëve në nivel kombëtar. Janë bërë përpjekje të herëpashershme, por sërish mbetemi mes perceptimeve dhe fakteve. Numri është më i lartë se ajo çfarë tregon censusi në vitin 2011. Madje ka një mospërputhje edhe mes institucioneve.
Sipas të dhënave më të fundit të popullsisë të mbledhura gjatë regjistrimit të vitit 2011 dhe të përpiluara nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT), 7,443 persona u klasifikuan si pashtetësi në Republikën e Shqipërisë. Nuk ka të dhëna të tjera në dispozicion në lidhje me demografinë e këtyre individëve, përveç shpërndarjes gjinore, bazuar në regjistrimin e vitit 2011: 3,874 burra dhe 3,569 gra. Duhet theksuar se nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e personave me kombësi të panjohur ose në rrezik pashtetësi të cilët janë, për shembull fëmijë ose pakica ose ndonjë kategori tjetër e veçantë.
Shifrat më të sakta aktualisht në dispozicion u mblodhën nga Shoqata e Ndihmës Ligjore Tiranë TLAS si pjesë e një perpjekjeje për hartëzimin, e kryer së bashku me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNHCR dhe botuar në maj 2018. Në total 1,031 persona u identifikuan në rrezik të pashtetësisë. Numri i raportuar i 7,443 personave pa shtetësi nga regjistrimi i popullsisë 2011 mendohet të jetë zvogëluar ndjeshëm përmes sigurimit të aksesit ligjor në mbështetjen e regjistrimit të ofruar nga TLAS (Shërbimi Ligjor Falas Tiranë ) dhe mbështetjes së dhënë gjatë viteve nga organizata ndërkombëtare si UNHCR.
Kjo ulje e numrit tregohet nga raporti i hartës TLAS – UNHCR që konfirmoi numrin e personave në rrezik pa shtetësi si 1,031, i cili është dukshëm më i ulët se numri i raportuar më parë në regjistrim. Kjo ka të bëjë me pashtetësinë e Romëve në Republikën e Shqipërisë, ku shkaku dhe rreziku kryesor i pashtetësisë është mungesa e dokumentacionit civil dhe trashëgimia e pashtetësisë. Siç zbuloi Raporti i Përkatës së Romëve, këto shkaqe kanë një efekt disproporcional te romët për shkak të cenueshmërisë dhe margjinalizimit të tyre, si dhe gjasave të rritura që autoritetet të vënë në dyshim të drejtën e tyre për shtetësi. Regjistrimi i popullsisë 2011 identifikoi numrin e vlerësuar të komuniteteve rome dhe egjiptiane si 8,300 romë dhe 3,368 egjiptianë; megjithatë, këto bashkësi i kundërshtojnë me forcë këto vlerësime dhe i konsiderojnë shifrat përkatëse të jenë shumë më të larta.
Sipas drejtueses së qendrës Treja ka disa arsye pse romët nuk regjistrohen. E para është mungesa e hartëzimit të saktë të zonave në të cilat jetojnë këto minoritete. E dyta është mospërdorimi i një gjuhe të thjeshtë gjatë plotësimit të pyetësorit duke ju përshtatur formimit të të intervistuarve.
Sipas TLAS dhe Udherrefyesit të UNCH arsyet janë: Shumica e njerëzve në rrezik pa shtetësi në Republikën e Shqipërisë janë persona të cilët në teori duhet të kenë akses në shtetësi, por në praktikë nuk janë në gjendje të konfirmojnë shtetësinë e tyre për shkak të pengesave të ndryshme për regjistrimin e tyre në regjistrin e lindjeve. Kjo vlen për komunitetet rome dhe egjiptiane në veçanti për shkak të margjinalizimit të tyre social dhe ekonomik, por prek gjithashtu të kthyerit shqiptarë, fëmijët e të cilëve kanë lindur jashtë vendit. Shumë prej tyre ishin në qëndrim të parregullt pas rënies së regjimit komunist në 1991 dhe nuk regjistruan lindjen e fëmijëve të tyre. Nga viti 2008, pas krizës ekonomike në Itali dhe Greqi, shumë persona të padokumentuar u kthyen ose u dëbuan në Shqipëri dhe aktualisht po hetojnë mundësinë e regjistrimit të vonë të lindjes në Shqipëri.
Nuk ka asnjë mekanizëm për të përcaktuar pashtetësinë dhe për këtë arsye nuk është e mundur të identifikohen raste të tilla nën këtë status. Për shkak të mungesës së një metode sistematike ose individuale për klasifikimin e tyre, personat pa shtetësi përballen me pengesa kur përpiqen të fitojnë qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë. Për më tepër, fakti që këta persona janë në thelb ‘ligjërisht të padukshëm’ dhe kufizimet metodologjike të tilla si të dhënat e regjistrimit që bazohen në vetë-identifikim e bën jashtëzakonisht të vështirë mbledhjen e të dhënave të besueshme.
Diskriminimi, antigjipsizmi institucional, pabarazitë strukturore dhe sistemet burokratike tregohen si shkaqe rrënjësore, si dhe mungesa e vetëdijes, prekshmëria sociale dhe ekonomike vazhdojnë të pengojnë komunitetet rome dhe egjiptiane dhe aftësinë e tyre për të marrë dokumentacionin e kërkuar për regjistrim. Në vitin 2019, afërsisht 60 përqind e ngarkesës së çështjeve TLAS përbëhej nga persona nga komunitetet rome dhe egjiptiane.
Ola Tare thotë se qendra që ajo drejton bashkë me organizatat partnere ka kontaktuar me INSTAT për të bashkëpunuar në realizimin e censusit të vitit 2022 për të siguruar një mbulim sa më të mirë të zonave, ku jetojnë minoritetet dhe për të shmangur maksimalisht vështirësitë që mund të hasen në mbledhjen e të dhënave
Ekspertët gjithashtu sugjerojnë që Shqipëria duhet të garantojë që maternitetet dhe spitalet duhet të përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me regjistrimin e lindjeve dhe raportimin e tyre në mënyrë saktë dhe sistematike, duke u lidhur me Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Zyrat e Gjendjes Civile, duke përfshirë rastet kur një fëmijë lind nga një nënë e paregjistruar. Në këto raste është e vështirë të bëhet regjistrimi i foshnjeve, pasi institucionet nuk vihen në dijeni dhe nuk funksionon asnjë mekanizëm që të bëjë të mundur ketë proces, edhe në të tilla rrethana.
Në një intervistë për Euroneës Albania, Ina Kokëdhima, eksperte e sektorit të përfshirjes sociale dhe barazisë gjinore u shpreh se Shqipëria nuk ka të dhëna për sa i përket personave të paregjistruar ne gjendjen civile.
Por pas vendimit të këshillit të ministrave për bonusin e bebeve kjo problematikë po shkon drejt zgjidhjes. VKM parashikon që një nëpunës i gjendjes civile të qëndrojë në institucionet e shërbimit spitalor me qëllim që të bëjë regjistrimin e bebeve të reja.
“Dhënia e bonusit te bebeve ka pasur një efekt shume pozitiv duke mundësuar identifikimin maksimal te gjitha lindjeve te ndodhura ne republikën e Shqipërisë dhe patjetër qe ka ndikuar edh ene minimizimin e lindjeve të paregjistruara. Kjo për shkak te ndihmës se menjëhershme financiare qe jepet në zbatim te vendimit te cilën e përfitojnë te gjithë prindërit shtetas shqiptare për foshnjat e lindura brenda por edhe jashtë vendit”, shprehet ajo.
Kokëdhima shton se ngritja e strukturave specifike për regjistrimin e fëmijëve rom dhe egjiptiane nuk shihet si diçka qe mund te krijohet pasi është një masë që mund të sjellë diskriminimin mes fëmijëve rom dhe jo rom.
Një vëmendje e veçantë u duhet kushtuar fëmijëve të lindur jashtë materniteteve. Asnjë fëmijë nuk duhet të jetë subjekt i boshllëqeve dhe të mbetet i paregjistruar, meqenëse regjistrimi i lindjes përbën portën kryesore drejt aksesit ndaj të gjitha shërbimeve sociale dhe të drejtave civile dhe një pjesë e mirë e këtyre fëmijëve bëjnë pjesë në kominitetin rom dhe egjiptian.
Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar
Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj
Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta