Tejkaluan lejen e ndërtimit në një pallat në Tiranë, gjykata cakton masën arrest me burg për 4 shtetas

16 Qershor 2026 | 10:05

Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për katër shtetas, të identifikuar me inicialet M.J., F.L., F.Sh. dhe A.Sh., të dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Sipas organit të akuzës, hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 3193, datë 8 maj 2026, kanë nxjerrë në pah se të dyshuarit kanë tejkaluar parametrat e lejes së ndërtimit në një objekt të ndodhur në rrugën “Llukë Kaçaj”, pas “Spitalit Amerikan 2” në Tiranë.

Prokuroria bën me dije se gjatë verifikimeve është konstatuar se janë kryer punime ndërtimore jashtë kushteve të miratuara në projekt, duke tejkaluar sipërfaqet e lejuara dhe duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, dyshohet se janë realizuar shitje informale me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.

Nga dokumentacioni tekniko-ligjor rezulton se leja e ndërtimit ishte miratuar për një godinë me dy kate nëntokë dhe nëntë kate mbi tokë. Megjithatë, nga këqyrja e objektit është konstatuar se janë ndërtuar edhe dy kate shtesë, duke e çuar godinën në 11 kate mbi tokë.

Referuar të dhënave të administruara nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Tiranë, objekti rezulton të ketë rreth 2,550 metra katrorë më shumë se sa parashikohej në lejen e ndërtimit, konkretisht në katet e 10-të dhe të 11-të.

Prokuroria vlerëson se ndërtimi është realizuar përgjatë një periudhe disa vjeçare dhe se shkeljet kanë qenë të vazhdueshme dhe të dukshme në terren. Në këtë kontekst, organi i akuzës ngre dyshime edhe mbi mosveprimin e strukturave përgjegjëse të IMT-së dhe IKMT-së, të cilat sipas ligjit kanë detyrimin për të evidentuar dhe ndaluar shkelje të tilla.

“Nga analiza e rrethanave të faktit krijohet dyshimi i arsyeshëm se punonjës apo funksionarë të strukturave të inspektimit të territorit nuk kanë vepruar në përputhje me detyrimet ligjore”, thuhet në qëndrimin e Prokurorisë.

Sipas hetimeve, ekzistojnë prova të mjaftueshme që shtetasit M.J., F.L., F.Sh. dhe A.Sh. kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm”. Për këtë arsye, Prokuroria ka vlerësuar se plotësohen kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, duke argumentuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova dhe se nuk ka shkaqe që përjashtojnë përgjegjësinë penale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Karamuço: Rama mori pistoletë dhuratë nga Erdogan, mbetet për t’u parë si do ta sjellë në Shqipëri

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço bëri të ditur se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u ka dhuruar...
22:26 | 08/07/2026

Ina Zhupa: 4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, akti normativ antikushtetues

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një dalje për mediet këtë të mërkurë, u shpreh se vendimi i qeverisë për të përdorur 4.2 milionë...
22:15 | 08/07/2026

Dita e 39-të, protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 39-të. Tashmë ka nisur marshimi drejt rrugëve të Tiranës. Si çdo...
21:30 | 08/07/2026