Vlora përballet me krizën e ujit, qytetarët përplasen me policinë! Debatojnë me drejtorin e Ujësjellësit, reagon dhe kryebashkiakja: Po presim pajisjet nga Turqia
Vlora vijon të përballet për të katërtën ditë radhazi me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, situatë që ka shkaktuar zemërim dhe protesta të vazhdueshme nga qytetarët. Që prej ditës së djeshme dhe edhe sot, banorë të shumtë, të mbështetur edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, janë grumbulluar përpara Bashkisë së Vlorës duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme.
Protesta ka sjellë tensione të forta, ku protestuesit kanë tentuar të futen brenda ambienteve të Bashkisë dhe janë përplasur me forcat e policisë. Ata kanë goditur derën kryesore me bidona uji dhe kanë kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, ndërsa policia ka ndërhyrë për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të garantuar rendin publik.
Sipas autoriteteve, kriza është shkaktuar nga një defekt i rëndë në linjën kryesore të ujësjellësit. Përpjekjet për riparim gjatë tre ditëve të fundit kanë dështuar, pasi presioni i lartë ka çarë vazhdimisht pjesët e riparuara. Si pasojë, mijëra familje kanë mbetur pa ujë, ndërsa disa qytetarë janë parë duke mbushur bidona nga deti ose duke përdorur burime lokale me mjete primitive. Shërbimet kritike, përfshirë spitalin dhe institucionet me rëndësi të veçantë, furnizohen përmes boteve të zjarrfikësve nga burimi “Uji i Ftohtë”.
Situata ka tensionuar edhe jetën sociale në qytet. Javën e kaluar qytetarët ndërhynë gjatë një mbrëmjeje gala të organizuar nga Bashkia, duke bllokuar bulevardin “Ismail Qemali” dhe duke u përplasur me policinë.
Për herë të parë ka reaguar publikisht kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, e cila e ka cilësuar situatën si një fatkeqësi natyrore dhe ka bërë thirrje që të mos përdoret për qëllime politike.
“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të gjejmë fajtorin, por të japim zgjidhjen,” u shpreh ajo.
Sipas Mersinit, zgjidhja përfundimtare është në proces, pasi pjesët rezervë për riparimin e defektit po vijnë nga Turqia. Ajo bëri të ditur se avioni me tre pjesët rezervë zbret në orën 02:30 dhe pritet të mbërrijnë në Vlorë rreth orës 17:00. Ndërkohë, Bashkia ka vënë në funksion një zgjidhje të përkohshme, duke furnizuar pjesërisht qytetin përmes ujësjellësit, ndërsa në terren janë angazhuar 15 autobotë dhe strukturat e emergjencave civile, të cilat po shpërndajnë ujë të ambalazhuar.
Gjatë protestës së sotme, para qytetarëve është shfaqur edhe drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë, Flauers Shoshi, i cili u përball drejtpërdrejt me pyetjet dhe reagimet e protestuesve. Ai deklaroi se ndodhet prej 72 orësh në Vlorë dhe shpjegoi se defekti nuk është riparuar për shkak të presionit të lartë dhe vendndodhjes së vështirë të avarisë.
“Kemi tentuar tre herë ta rregullojmë, por nuk kemi arritur. Pajisjet origjinale janë duke ardhur dhe sonte në mesnatë defekti do të rregullohet dhe uji do të vijë,” tha Shoshi, duke shtuar se aktualisht në qytet janë angazhuar 11 bote uji.
Ai sqaroi se defekti është shkaktuar nga gërryerja e dheut poshtë tubacionit si pasojë e ujërave dhe theksoi se ka dalë mes qytetarëve për t’u shpjeguar situatën dhe për të dhënë garanci për zgjidhjen e saj.
Autoritetet lokale shprehen optimiste se furnizimi me ujë do të normalizohet brenda orëve në vijim, ndërsa qytetarët e Vlorës mbeten në pritje të rikthimit të plotë të ujit të pijshëm dhe të një zgjidhjeje përfundimtare të kësaj krize.
lajmi në përditësim
Defekti në tubacionin kryesor, mbi 10 autobotë dhe zjarrfikëse shpërndajnë ujë për qytetarët e Vlorës
Mbi 10 autobote po sigurojnë furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Vlorës për nevoja familjare. Uji po shpërndahet nga autobotet që kanë ardhur nga Tirana, Fieri dhe shërbimi i zjarrfikësve, për të përballuar mungesën disa ditore të ujit në qytet.
Qytetarët presin në radhë për të marrë ujë, ndërsa situata mbetet e vështirë deri në rikthimin normal të furnizimit.
Ka qenë një defekt i shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra, çka ka bërë që Vlora të mbetet pa ujë, ndërsa specialistët nuk kanë mundur ta riparojnë për shkak të vështirësisë, pasi kjo është një linjë e veçantë.
Vlora prej katër ditësh pa ujë, reagon për herë të parë kryetare e Bashkisë Vlorë: Po presim pjesët rezervë
Lidhur me situatën, ka reaguar për herë të parë Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini. Ajo e ka cilësuar ngjarjen si një fatkeqësi natyrore dhe ka bërë thirrje që situata të mos përdoret për qëllime politike.
“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen,” – është shprehur Mersini.
Sipas saj, zgjidhja përfundimtare është në rrugë e sipër. Kryetarja e Bashkisë bëri të ditur se pjesët rezervë për riparimin e defektit po vijnë nga Turqia.
“Në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë,” – tha ajo.
Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve përballet me qytetarët e Vlorës: Ja pse jeni katër ditë pa ujë
Ai u shpjegoi protestuesve arsyen e mungesës së ujit të pijshëm, ndërsa tha se që prej 72 orësh ndodhet në Vlorë dhe, ashtu si qytetarët, nuk kishte ku të lahej. Banorët qëndronin aty për të dëgjuar përgjigjet e tij dhe herë pas here e ndërprisnin.
“E di shqetësimin dhe problemin tuaj. Kemi tentuar tre herë për të rregulluar defektin, por nuk kemi arritur për shkak të presionit që ka aty dhe vendit ku ndodhi defekti. Pajisjet origjinale janë duke ardhur dhe sonte në mesnatë do të rregullohet defekti dhe do të vijë uji. Për çdo gjë do të flasim përsëri, por ju them se sot në mesnatë do të zgjidhet problemi”, tha drejtori.
Ai shtoi se janë afishuar numrat për “bote uji” që të përgjigjen për këtë situatë. “Aktualisht, kanë ardhur 11 bote uji në Vlorë për këtë qëllim”. tha ai.
“Nuk po shkojmë dot as në tualet”, vijon protesta e qytatarëve të Vlorës për mungesën e ujit
Qytetarët shfaqen me bidona bosh dhe letra higjienike në duar, ndërsa kanë folur për mikrofonin e Euronews, ku e quajnë situatën katastrofike, pasi familje të tëra janë pa u larë dhe pa ujë.
Një qytetar me letra higjienike në dorë thotë: “Është turp i madh, nuk po shkojmë dot as në tualet”.
Një zonjë thotë: “Jam me topin e letrës në dorë sepse duhet të futem në bashki për të kryer nevojat personale”.
Një tjetër thotë se ka ardhur nga Gjermania dhe ka mbetur pa u larë. Ajo thotë se kërkon një gjë elementare, thjesht ujë, asgjë më shumë.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryetares së bashkisë, Bruna Mersini.
Katër ditë pa ujë në Vlorë, qytetarët mbushin ujë në det
Prej katër ditësh, qyteti i Vlorës përballet me një ndërprerje të madhe të furnizimit me ujë për shkak të një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit. Mijëra familje janë pa ujë dhe situata ka detyruar banorët të përdorin metoda të improvizuara për të siguruar ujin e nevojshëm.
Që në orët e para të mëngjesit, rreth 10 qytetarë janë parë duke mbushur bidona direkt nga deti, ndërsa të tjerë përdorin burimet e qytetit me mjete primitive. Shërbimet kritike, përfshirë spitalin dhe institucionet e rëndësisë së veçantë, furnizohen përmes boteve të zjarrfikësve, të cilat mbushen nga burimi i njohur “Uji i Ftohtë”.
Situata ka nxitur tensione edhe në planin social: qytetarët protestuan këtë të diel duke ndërhyrë në një mbrëmje gala të organizuar nga Bashkia e Vlorës. Përplasjet me policinë shkaktuan bllokimin e bulevardit “Ismail Qemali”.
Ujësjellësi i Vlorës ka tentuar të riparojë defektin gjatë tre ditëve të fundit, por presioni i lartë i linjës shkakton përsëri çarje të pjesëve të salduara, duke pamundësuar rikthimin e furnizimit normal. Edhe tentativat e fundit gjatë mbrëmjes së kaluar kanë dështuar.
Dita e katërt pa ujë në Vlorë, vijon defekti i rëndë! Qytetarët mes revoltës dhe radhës në burime për të mbushur bidonat
Prej katër ditësh në Vlorë vijon një defekt i rëndë në furnizimin e qytetit me ujë. Një defekt i linjës kryesore ka ndërprerë ujin për mijëra familje dhe situata ka krijuar një problem të madh. Qytetarët prej ditësh enden në burimet e qytetit me mjete provizore dhe primitive për të mbushur ujë. Nga ana tjetër, institucionet si spitali dhe disa të rëndësisë së veçantë furnizohen nëpërmjet boteve të zjarrfikësve, të cilat mbushen në burimin e “Ujit të Ftohtë”.
Këtë të dielë, qytetarët shprehën revoltën e tyre duke prishur mbrëmjen gala të organizuar nga bashkia, ku janë konfliktuar me policinë deri në përplasje fizike, pas së cilës kanë bllokuar bulevardin “Ismail Qemali”.
Ujësjellësi i Vlorës vijon punën prej tre ditësh për riparimin e defektit, por presioni i lartë i linjës që furnizon qytetin shkakton sërish çarje të pjesëve të salduara. Edhe gjatë mbrëmjes së kaluar, tentativa e fundit dështoi, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit normal me ujë.
U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut
Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut
- 09:31 Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni