Trafikuan 50 tonë kokainë, SPAK godet grupin kriminal, sekuestrohen 150 milionë euro pasuri
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet lidhen me veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”.
Me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 10 shtetas shqiptarë të identifikuar me inicialet S.A., D.Gj., D.M., A.P., S.B., F.M., O.E., N.Y., N.B. dhe I.A.
Më 16 qershor 2026, Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera për ekzekutimin e masave të sigurisë. Gjatë operacionit u arrestua shtetasi F.M., ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e dy personave të tjerë që dyshohet se ndodhen në Shqipëri. Shtatë persona të tjerë nën hetim rezultojnë jashtë territorit shqiptar dhe SPAK po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të tjera për arrestimin e tyre.
Në kuadër të operacionit janë kryer 23 kontrolle në banesa, zyra kompanish tregtare dhe ambiente të tjera të lidhura me personat nën hetim.
Sipas hetimeve, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Provat e mbledhura kanë krijuar dyshimin se anëtarët e grupit kanë trafikuar të paktën 50 tonë kokainë drejt vendeve europiane.
SPAK bën me dije se janë dokumentuar pesë episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës, gjatë të cilave janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kilogramë lëndë narkotike.
Episodi i parë lidhet me sekuestrimin e 700 kilogramëve kokainë më 11 maj 2020 në portin e Waasland në Antwerp të Belgjikës.
Më 6 qershor 2020 u bllokuan 2.010 kilogramë kokainë në Guayaquil të Ekuadorit, me destinacion final Holandën.
Një tjetër ngarkesë prej 1.100 kilogramësh kokainë u sekuestrua më 16 gusht 2020 në portin e Roterdamit në Holandë.
Po në Roterdam, më 16 dhjetor 2020, autoritetet sekuestruan 4.1 ton kokainë të ardhur nga porti i Guayaquil.
Ndërsa më 3 shkurt 2021 u godit tentativa për trafikimin e 1 ton e 50 kilogramëve kokainë në Kolumbi, me destinacion final Francën.
Sipas SPAK-ut, përveç këtyre episodeve, grupi kriminal dyshohet se ka trafikuar edhe dhjetëra tonë të tjera kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, duke siguruar fitime të konsiderueshme financiare.
Nga hetimet ka rezultuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës është transferuar në Shqipëri në formë cash, me qëllim shmangien e sistemit bankar.
Më pas, këto fonde dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme, në blerjen e aksioneve të kompanive tregtare dhe në aktivitete të ndryshme ekonomike, kryesisht në sektorët e ndërtimit, hotelerisë dhe konsulencës.
Sipas SPAK-ut, përmes këtyre investimeve është synuar fshehja e origjinës së paligjshme të të ardhurave dhe integrimi i tyre në ekonominë e ligjshme.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj 491 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të personave nën hetim.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë automjete të ndryshme, mjete teknologjike për ndërtim, mjete transporti mallrash, autovetura, mjete lundruese, si dhe 209 llogari bankare në emër të personave fizikë dhe juridikë të lidhur me hetimin.
Sipas vlerësimeve paraprake, vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin në rreth 150 milionë euro, ndërsa gjatë vijimit të hetimeve do të përcaktohet vlera e saktë e tyre.
Nesër festimet e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, Aviacioni Civil kufizon përkohësisht hapësirën ajrore pranë Pallatit të Kongreseve
U arrestua në Borsh, GJKKO lë në fuqi masën e arrestit me burg për Moisi Habilajn
Gjykata rrëzon kërkesën e Veliajt për transmetim “live” të seancave
- 14:22 Golashënuesi iranian akuzohet për festim “me armë”
- 14:14 Kina goditet nga një tërmet i fortë, sa ishte magnituda
- 14:11 Trump: Rusia duhet të arrijë një marrëveshje me Ukrainën dhe Izraeli duhet të ndalojë sulmet
- 13:58 Trump: Marrëveshja e thotë qartë dhe fuqishëm se Irani nuk do të ketë armë bërthamore
- 13:36 Nesër festimet e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, Aviacioni Civil kufizon përkohësisht hapësirën ajrore pranë Pallatit të Kongreseve
- 13:31 U arrestua në Borsh, GJKKO lë në fuqi masën e arrestit me burg për Moisi Habilajn