Edhe pse kanë kaluar rreth 3 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, monumentet e dëmtuara nuk janë restauruar ende. Në qytetin e Durrësit muri Bizantin qëndron ende i rrëzuar, madje duke bllokuar dhe rrugën
Muri ka mbuluar dhe gjysmën e rrugës, duke krijuar dhe vështirësi në qarkullim. Ky mur, ka vlera të mëdha historike.
“Është kështjella e vetme bizantine ruajtur deri në bedena. Është pjesë e një sistemi fortifikimi, natyrisht që fillon që në shekullin e shtatë para erës sonë, me themelimin e Durrësit dhe vazhdon deri në periudhën otomane”-tha arkeologu Neritan Ceka.
Sipas historianit Ceka, restaurimi i objekteve duhet të kishte përfunduar tashmë.
“Një projekt serioz restaurimin duhet të ishte bërë ndërkohë. Instituti i Monumenteve ka 50 persona që merren me këtë, Drejtoria Rajonale ka edhe ajo disa arkitektë që i paguan shteti, dhe nëse nuk është bërë kjo punë, kjo do të thotë që këtu nuk ka shtet”-shtoi ai.
Por, përveç murit Bizantin, dëmtime ka patur dhe në vende të tjera, si në Kalanë e Krujës apo atë të Prezës.
“Për fat të mirë nuk ka pasur dëme të mëdha. Ato janë shkaktuar edhe nga që për një kohë të gjatë nuk ka kujdes. Pra, ne jemi në një katastrofë kombëtare për sa i përket trashëgimisë kulturore, për shkaqe thjesht politike në krye të këtij shërbimi janë vendosur njerëz të paaftë në të gjithë rrjetin, dhe kjo nuk është e kësaj qeverie, fillon edhe përpara”-tha ai
Ceka shfaqet pensimist për restaurimin e monumenteve.
“Nuk ka asnjë garanci që ky do të jetë një restaurim serioz. Shembujt që ka ndodhur përpara, për shembull restaurimi i murit në Butrint që ra, mund të na përsëritet në Durrës, Prezë dhe në Krujë.”- përfundoi z. Cekaj
Pas tërmetit të 26 nëntorit, Ministria e Kulturës ka bërë në total 101 inspektime, ku rezultoi se 23 objekte kulture janë në risk të lartë, 30 objekte janë pjesërisht të papërdorshme dhe 48 objekte nuk janë në rrezik.