Ishulli i Sazanit është një nga destinacionet më të kërkuara turistike gjatë sezonit të verës. Këtë vit, anijet turistike të cilat e ofrojnë këtë shërbim dhe operojnë pranë portit të Vlorës, nuk kanë hapësirë ankorimi, për të pritur dhe për të përcjellë pasagjerë, për shkak se porti është kthyer në kantier ndërtimi.
Ky është një shqetësim për operatorët turistikë këtë sezon, i cili përbën një ngërç për zhvilllimin e turizmit.
“Sazani është një nga destinacionet më të kërkuara, me historinë që Sazani mbart, turistët janë të interesuar qe ta vizitojnë ishullin e Sazanit, aktualisht nuk kemi një informacion se kur do të jet data që Sazani do të hapet, jemi në pritje ndërkohë që rezervimet janë shumë të larta dhe kërkesat, kemi bërë disa takime me prefektin me kryetarin e bashkisë dhe nuk na është premtuar asnjëgjë, në momentin që ne flasim nuk është se ka një zgjidhje”, tha Ervis Hoxha, kapiten anije.
Agim Toci, kapiten i një prej anijeve turistike në Vlorë, shprehet I revoltuar sa i përket neglizhencës nga autoritetet lokale.
“Ky trotuari këtu sipër është duke u shembur, se është në anë të katllavanit, nuk mund të punosh turizëm, i rrethuar me polici, shiko ca bëhet këtu gardhi, është me port këtu çdo gjë, unë vet që operoj këtu, duhet të marr leje që të hyj këtu, llogarit më se ç’mund të heqin turistat, ana tjetër ky port nuk ofron më asgjë. Ky ka dal jashtë garancisë, moli quhet totalisht i lëshuar nga toka, nuk ka më garanci, që këtu të punojmë neve me pasagjerë, neve kemi vincat mbi kokë, jemi taksapagues të rregullt, nuk mund të punosh edhe cimento edhe beton edhe turista, deri më sot ne e kemi komunikimin dhe interesin zero nga pushteti vendor këtu, se nuk i kemi votuar që të na rrinë në zyra”, tha kapiteni Agim Toci.
Aktualisht, rezervimet dhe kërkesat e turistëve drejtuar Sazanit dhe Karaburunit janë relativisht më të larta krahasuar me një vit më parë, por pjesa më e madhe e anijeve turistike i kanë anulluar këto ture. Disa prej tyre operojnë nëpërmjet portit të peshkimit në Triport, i cili nuk është i përshtatshëm për të pritur vizitorë.
“Është i papërshtatshëm fare, për të tjera kushte teknike këtu janë në mënyrën më të keqe të mundshme, shumë i rrezikshëm, për sigurinë e mjeteve tona dhe për turistët mbi të gjitha si mund të operojmë në mes të një kantieri kaq të madh, cdo gjë e kemi pezulluar sepse nuk kemi ku të ankorohemi, kjo gjë të zgjidhet para se të fillojë fluksi të paktën, bëjmë ndonjë lëvizje që nga triporti, si është udhëtimi që nga triporti për pasagjerët? Është shum e keqe, aty skemi kalata jemi thjesht të kapur nëpër gurë, aty smund të punohet me turizëm, nuk është ajo faqja që duhet të nxjerrim”, tha kapitenia e anijes, Valentina Habilaj.
Në Portin e Vlorës operojnë 16 anije turistike. Situata për ta mbetet kritike duke qenë në prag të fluksit sezonal dhe kërkesës së madhe për turet në Sazan dhe Karaburun.
Deri më tani nga institucionet përgjegjëse nuk ka asnjë përgjigje apo zgjidhje konkrete për gjetjen e një hapësire se ku mund të ankorohen anijet turistike përgjatë këtij sezoni veror.
LEXONI GJITHASHTU:
- Flamuri amerikan në Sazan, kush është Jared Kushner
- Ishulli i bunkerëve dhe tuneleve, sa lekë do “blihet” Sazani