Turqia do të kërkojë ekstradimin e 33 të dyshuarve për terrorizëm nga Finlanda dhe Suedia.
Kjo kërkesë vjen pas një marrëveshjeje që hoqi kundërshtimet e Ankarasë ndaj dy shteteve nordike për t’u bashkuar me NATO-n, shkruan BBC.
Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag tha se Suedisë dhe Finlandës do t’u kërkohet përmbushja e premtimeve në lidhje me këtë çështje.
“Ne do të kërkojmë ekstradimin e terroristëve”, u shpreh Bozdag teksa shtoi se Finlanda duhet të dorëzojë gjashtë anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe gjashtë të tjerë nga lëvizja e Fethullah Gulen.
Turqia gjithashtu kërkon që 11 anëtarë të PKK-së dhe 10 gylenistë të ekstradohen nga Suedia.
Ditën e djeshme të treja vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë, gjatë Samitit të NATO-s në Madrid.
Marrëveshja e nënshkrua pas një takimi kokë më kokë mes presidentit turk Erdogan, atij finlandez Sauli Niinisto, kryeministres së Suedisë Magdalena Andersson dhe sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.
Finlanda dhe Suedia deklaruan synimin e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake në muajin maj, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
LEXONI GJITHASHTU