Gëzim Çela, i njohur edhe si “baroni” i Fushë Kuqes, i arrestuar pak kohë më parë në Kosovë, do të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë përmes një njoftimi, ku thuhet se ekstradimi do të bëhet me procedurë të përshpejtuar, për shkak se ky shtetas ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar drejt vendit tonë.
GJKKO ka caktuar ndaj tij të masën e sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Flakë në det ku u arrestua shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj.
Çela, i njohur ndryshe si baroni i drogës, ka qenë i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni”. Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge.
Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.
Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë. Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.
Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia rrethoi shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.
Njoftimi:
Informacion mbi ekstradimin e shtetasit Gezim (Gëzim) Çelaj alias Çela!
Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se:
Shtetasi Gezim (Gëzim) Çelaj alias Çela, i biri i Xhemal dhe i Fatime, lindur më 07.04.1968, në Krujë, do të ekstradohet nga Kosova në Shqipëri.
Ekstradimi i tij do të bëhet me procedurë të thjeshtuar, dhe në vijim të komunikimit mbi këtë kërkesë për ekstradim, Ministria e Drejtësisë të Kosovës, me emailin e datës 26.02.2024, ka përcjellë njoftimin e autoriteteve kosovare të drejtësisë mbi vendimin Nr. 05179662, dt. 11.01.2024 të Gjykatës Themelore në Ferizaj/ Kosovë, për lejimin e ekstadimit të thjeshtuar këtij shtetasi, për shkak se ky shtetas ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.
Kërkesa për ekstradimin e shtetasit të lartpërmendur bazohet në:
-Vendimin Nr. 110, datë 08.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28, 333/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
-Vendimin Nr. 102, datë 30.09.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, i ndryshuar me Vendimin Nr. 121, datë 07.12.2015, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për dënimin e tij me 10 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 2283/2, 278/3 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Kush është baroni i drogës, dalin fotot si ka ndryshuar Gëzim Çela
- Arrestohet në Kosovë “baroni” i Fushë-Kuqes, Gëzim Çela