U goditën call center-at mashtrues në Tiranë, skemë me mbi 50 mln euro dëm në vendet e BE-së! Prokuria zbardh akuzat
Prokuroria e Tiranës ka goditur një rrjet të strukturuar call center-ash të përfshirë në mashtrime ndërkombëtare, pas një hetimi dyvjeçar në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe agjenci europiane të zbatimit të ligjit.
Sipas njoftimit zyrtar këtë të enjte, operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit. Si rezultat, janë caktuar masa sigurie “arrest me burg” për 7 persona, ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar në flagrancë gjatë ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm. Për dy shtetas është vendosur “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitjeje”.
Hetimet lidhen me procedimin penal për veprën “mashtrimi kompjuterik”. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, duke u premtuar rikuperim të humbjeve nga investime të mëparshme ose fitime në bursa fiktive online.
Skema funksiononte përmes call center-ave të organizuar në grupe sipas gjuhëve të huaja – gjermanisht, anglisht dhe italisht – duke synuar tregje të ndryshme. Operatorët kontaktonin qytetarë, kryesisht në Itali, duke i bindur të hapnin llogari në platforma të dyshuara si mashtruese dhe të kryenin një pagesë fillestare prej 500 euro.
Prokuroria bën me dije se këto struktura operonin me organizim të mirëfilltë, ndarje të qartë rolesh dhe mbikëqyrje hierarkike, duke imituar modele biznesi të ligjshme. Dyshohet se aktiviteti ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare, kryesisht në Austri, gjatë periudhës qershor 2023 – korrik 2024.
Vlera totale e përfituar nga skema mashtruese vlerësohet të kalojë 50 milionë euro. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu përdorimin e kriptovalutave për transferimin e parave, ku dy prej të dyshuarve identifikohen si përfitues fundorë të këtyre fondeve.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar rreth 891 mijë euro, qindra kompjuterë dhe telefona, si dhe pajisje të tjera elektronike.
Prokuroria njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
“Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia
Republika Sërpska lobon me miliona në SHBA për pavarësinë e saj
Rrezik thatësire në Evropë, studiuesit ndërkombëtarë tregojnë pasojat e nxehtësisë ekstreme
- 22:33 Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë
- 22:26 Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
- 22:23 Deputeti i PD-së: Ja pse Rama nuk e çoi deri në fund reformën territoriale, Parlamenti është jonormal
- 22:08 Dashamir Shehi: Mbështes protestuesit, ata janë rinia evropiane e Shqipërisë
- 21:52 Mes thirrjeve “Rama, jepe dorëheqjen”, kryeministri publikon videon duke përgatitur fjalimin: Kënga ime e preferuar
- 21:41 “Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia