Ukraina lëshon tre alarme radhazi për sulme ajrore brenda ditës

14 Dhjetor 2023 | 20:23

Një alarm i madh për sulme ajrore u lëshua në Ukrainë tri herë vetëm brenda ditës së enjte, për shkak të raportimeve për shpërthime në afërsi të kryeqytetit, Kiev.

Shkaktarët e shpërthimeve nuk u bënë të ditura menjëherë.

“E gjithë Ukraina është e kërcënuar nga sulmet raketore”, tha forca ajrore e Ukrainës, duke shtuar se avionët luftarakë rusë ishin ngritur në ajër.

Dy alarmet paraprake u lëshuan në orën 11:00 dhe në orën 14:00 me kohën lokale. Nuk u dhanë hollësi të tjera.

Alarmet për sulme ajrore u lëshuan në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska do ta vazhdojë luftën në Ukrainë dhe se qëllimet e saj për këtë nuk kanë ndryshuar.

Duke folur në konferencën vjetore për media, të enjten, ai tha se qëllimet e tij mbeten të njëjta dhe se paqja do të vijë kur ato të arrihen.

Teksa merrte pyetje nga gazetarët, publiku dhe madje ushtarët, Putin tha se qëllimet kryesore të Rusisë mbeten “denazifikimi” dhe “çmilitarizimi” i Ukrainës, duke siguruar edhe neutralitetin e saj.

“Do të ketë paqe kur t’i arrijmë qëllimet tona”, tha udhëheqësi 71-vjeçar, i cili, javën e kaluar, njoftoi se do të garojë për mandatin e pestë presidencial në zgjedhjet e marsit.

“Sa i përket çmilitarizimit, nëse ata [ukrainasit] nuk duan të arrijnë marrëveshje – mirë, atëherë ne jemi të detyruar të marrim masa të tjera, përfshirë ato ushtarake… Ose kemi një marrëveshje, biem dakord për disa parametra [për madhësinë dhe forcën e ushtrisë së Ukrainës]… ose ne e zgjidhim këtë me forcë. Kjo është ajo për të cilën ne do të përpiqemi”, tha Putin.

Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në muajin shkurt të vitit 2022, Putin ka thënë se qëllim i operacionit është “çmilitarizimi dhe denazifikimi” i Ukrainës – terma që zyrtarët e Kremlinit i kanë përdorur për të pohuar në mënyrë të rreme se Qeveria në Kiev kontrollohet nga simpatizantët nazistë.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kryenegociatori Ghalibaf: Irani është gati për marrëveshje sigurie me fqinjët islamikë

Kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf tha të mërkurën se Irani është gati për marrëveshje sigurie me vendet islamike, së bashku me bashkëpunimin ekonomik. “Irani është...
11:51 | 24/06/2026

Putin: NATO po përgatitet për luftë kundër Rusisë, jemi gati t’i përgjigjemi çdo kërcënimi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se NATO po përgatitet për një përballje ushtarake me Rusinë, duke akuzuar vendet perëndimore se po rrisin shpenzimet e...
11:44 | 24/06/2026

Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit: Linjat ajrore të vazhdojnë të shmangin hapësirën e Lindjes së Mesme

Pavarësisht marrëveshjes midis SHBA-së dhe Iranit dhe një “armëpushimi” midis Izraelit dhe Hezbollahut, agjencia e sigurisë së aviacionit e BE-së po u bën thirrje linjave...
11:42 | 24/06/2026