Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, Policia Kosovë: Tentoi të sulmojë policët e të ikte

8 Korrik 2025 | 18:51

Një ngjarje e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit të 7 korrikut në Lipjan, ku një person që shfaqte sjellje të dhunshme dhe të rrezikshme për qytetarët dhe për veten, ka humbur jetën pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Policia e Kosovës ku sipas njoftimit zyrtar, ndaj 27-vjeçarit në fjalë është përdorur sprej policor për shkak të rezistencës aktive dhe tentativës për sulm ndaj zyrtarëve.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të autoambulancës, ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e tij në vendngjarje. Në trupin e të ndjerit u gjetën sende personale dhe një substancë që dyshohet të jetë narkotike.

Policia e Kosovës thekson se po bashkëpunon ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë për zbardhjen e plotë të rastit, duke garantuar transparencë dhe hetim të pavarur.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës, përmes këtij njoftimi zyrtar informon opinionin lidhur me rastin e ndodhur në Lipjan
Prishtinë, 08 korrik 2025
Me datën 07.07.2025, rreth orës 00:12, Policia e Kosovës ka pranuar informacionin përmes gjashtë thirrjeve telefonike nga qytetarët se një person me sjellje agresive, përmes veprimeve të tij po paraqiste rrezikim të përgjithshëm të kalimtarëve duke i sulmuar ata por dhe të vetes së tij, duke ndjekur automjetet dhe duke tentuar të hynte në to.
Ngjarja është raportuar se ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore pas pranimit të informacioneve kanë reaguar menjëherë për të ndaluar sulmet dhe rrezikimin e qytetarëve dhe parandaluar përshkallëzim të mëtejmë të situatës.
Sjelljet e njëjta sipas raportimit të qytetarëve janë shfaqur edhe në prani të zyrtarëve policorë, të cilët me qëllim të vënies së situatës nën kontrollë dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor.
Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë.
Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Sipas procedurave të parapara ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore, Prokurori për krime të rënda si dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Të gjitha provat e siguruara përfshirë edhe pamjet e kamerave që ndihmojnë në zbardhjen e rastit janë ndarë me institucionet relevante, respektivisht me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar katër zyrtarë policorë dhe një rreshter, të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit, dhe ri cilësimit të veprës, janë dërguar në mbajtje.
Sigurojmë të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë dhe të plotë me institucionet relevante me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti, epilogu i së cilit do të merret pas përfundimit të hetimeve, ekzaminimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore.
Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve me të gjitha kapacitetet, detyrat dhe obligimet ligjore që ka.
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vatër zjarri në fshatin Mifol, zjarrfikësit në vendngjarje për të shuar flakët (VIDEO)

Një vatër zjarri është regjistruar në zonën e Mifolit këtë të premte. Flakët kanë përfshirë barishte, pemë, duke u përhapur me shpejtësi në sipërfaqen e...
14:41 | 17/07/2026

Ministrja serbe për Kosovën: Duhej të përdorja termin “deportim“, Sveçla është terrorist!

Ministrja serbe për Pushtetin Lokal, Snezana Paunoviç, ka thënë në një intervistë të re se ndoshta duhej të kishte përdorur një terminologji tjetër në vend...
13:39 | 17/07/2026

Ministrja Ibrahimaj: 12 mijë sipërmarrje të reja, do të vijojmë mbështetjen për bizneset

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishin të pranishëm këtë të premte në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Ministrja Ibrahimaj prezantoi...
12:50 | 17/07/2026