Vdekja e akademikut Rexhep Qosja, Kurti: Një figurë e paepur, kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë

23 Prill 2026 | 19:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim të gjatë pas vdekjes së akademikut, Rexhep Qosja.

Kurti shprehet se populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili ka kontribuoi shumë për gjuhën dhe kombin dhe se sipas tij, ai u sulmua shumë nga politika dhe kolegët e tij.

Në postimin e tij në Facebook, Kurti ka shkruar gjithashtu për jetën dhe veprën e Qosjes, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeç.

“Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë. Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.

Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.

Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.

Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.

Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.

Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti, i paepur.

Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra”, ka shkruar Kurti.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosovë, dhjetëra të arrestuar për prostitucion dhe shfrytëzim të fëmijëve

Tetë persona janë arrestuar për veprën “marrje me prostitucion” dhe shtatë të tjerë që u hasën me fëmijët e tyre duke kërkuar lëmoshë, gjatë një...
16:25 | 08/07/2026

Aksion i madh i policisë në Kosovë, mbyllen 9 lokale me muzikë, arrestohen 15 persona

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, nga data 8 deri 12 qershor 2026, ka realizuar Plani Operativ ‘Ditët e...
15:57 | 08/07/2026

KQZ certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë mbajti mbledhjen e 73-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniçi. Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim...
12:08 | 08/07/2026