Trump: Zelensky dhe Putin duan marrëveshje, SHBA do t’i japë Ukrainës licencë për prodhimin e sistemeve Patriot

8 Korrik 2026 | 16:18

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi gjatë Samitit të NATO-s në Ankara të Turqisë se beson se si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ashtu edhe presidenti rus Vladimir Putin, janë të interesuar për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Është një nder i madh të jem me Presidentin Zelensky. Ai dëshiron të arrihet një marrëveshje dhe unë besoj se edhe Presidenti Putin dëshiron një marrëveshje. Sapo përfunduam takimin e NATO-s dhe ishte një takim shumë i suksesshëm”, u shpreh Trump.

Gjatë takimit, Trump njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës licencë për prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.

“Ne do t’ju japim një licencë për të prodhuar sisteme Patriot”, i tha ai presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Edhe zyrtarë të lartë të administratës amerikane vlerësuan rezultatet e samitit. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi takimin “shumë pozitiv”, duke theksuar se “pati shumë unitet” mes aleatëve.

Rubio u ndal edhe te zhvillimet në frontin e luftës, duke deklaruar se Rusia po përballet me vështirësi në mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.

“Mendoj se kjo është një nga dinamikat që ka ndryshuar në këtë luftë gjatë muajve të fundit dhe ajo është se rusët po e kanë gjithnjë e më të vështirë të mbrojnë hapësirën e tyre ajrore. Shpresojmë që kjo të krijojë tani hapësirën për të negociuar përfundimin e kësaj lufte”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët për garancitë e sigurisë që SHBA do t’i ofrojë Ukrainës, Trump u përgjigj se synimi kryesor është shpëtimi i jetëve dhe krijimi i kushteve për paqe.

“Nuk është se ne duam ta bëjmë këtë — do ta bëjmë për të shpëtuar jetë. Ukraina është shumë larg. Mes nesh është një oqean. Ajo që po përpiqem të bëj është të shpëtoj jetë,” deklaroi ai.

Trump shtoi se Ukraina ka potencial të madh për zhvillim pas përfundimit të luftës.

“Besoj se është një vend me potencial të jashtëzakonshëm. Nëse kjo fuqi intelektuale do të përqendrohej te rindërtimi i vendit dhe jo te lufta, mendoj se ai vend do të ketë një të ardhme të shkëlqyer”, përfundoi presidenti amerikan.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Samiti i NATO-s, Trump flet me Zelensky-n për Iranin: Nëse duhet, do t’i shkatërrojmë

Donald Trump u takua me Volodymyr Zelenskyn gjatë Samitit të NATO-s në Ankara, ndërsa gjatë deklaratave të tij komentoi edhe situatën me Iranin, duke paralajmëruar...
16:18 | 08/07/2026

Vrau 15 pacientë dhe u përpoq të fshihte gjurmët, dënohet me burgim të përjetshëm mjeku në Gjermani

Një gjykatë në Berlin ka dënuar me burgim të përjetshëm një mjek gjerman të kujdesit paliativ, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e 15 pacientëve...
15:20 | 08/07/2026

Deklarata e plotë e Samitit të Ankarasë: NATO riafirmon mbrojtjen kolektive dhe mbështet Ukrainën

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s kanë miratuar Deklaratën përfundimtare të Samitit të Ankarasë, ku riafirmojnë angazhimin për mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit...
15:08 | 08/07/2026