VIDEO/ “Flakët e ferrit” përfshijnë Francën, evakuime masive në kufi me Spanjën

6 Gusht 2025 | 18:09

Franca po përballet me një nga zjarret më të mëdha të kësaj vere, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi në një rajon mesdhetar, pranë kufirit me Spanjën. Zjarri, që shpërtheu të martën pasdite në fshatin Ribaute në rajonin Aude, ka shkrumbuar mbi 13,000 hektarë, një sipërfaqe më e madhe se ajo e kryeqytetit Paris.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se mbi 2,000 zjarrfikës dhe një flotë avionësh bombardues uji janë në terren për të luftuar flakët, që vijojnë të jenë shumë aktive për shkak të motit ekstremisht të nxehtë, të thatë dhe me erë të fortë.

Një person ka humbur jetën në banesën e tij, ndërsa 13 të tjerë janë plagosur, përfshirë 11 zjarrfikës. Një person i raportuar fillimisht si i zhdukur është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga flakët janë prekur edhe komunitete të tëra. Kryebashkiaku i Jonquières, Jacques Piraux, deklaroi për mediat franceze:

“Është një skenë trishtimi dhe shkretimi. Duket si një peizazh hënor. Më shumë se gjysma ose tre të katërtat e fshatit janë djegur. Është djallëzore.”

Banorëve dhe turistëve në zonat përreth u është kërkuar të qëndrojnë brenda, përveç rasteve kur urdhërohen për evakuim. Dy kampe pushimi janë evakuuar si masë paraprake sigurie.

Kryeministri francez, François Bayrou, vizitoi sot rajonin e prekur dhe u takua me zjarrfikësit dhe banorët në Saint-Laurent-de-la-Cabrerisse, ku është ngritur edhe një qendër koordinimi për operacionin.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, mungesa e reshjeve dhe kushtet e thatësisë ekstreme kanë krijuar terrenin ideal për përhapjen e flakëve. Rajoni Aude ndodhet nën masa të kufizuara për përdorimin e ujit për shkak të thatësirës së theksuar në muajin gusht.

Kjo është vetëm një nga disa vatra të mëdha zjarresh që kanë përfshirë Evropën Jugore këtë verë. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto ngjarje më të shpeshta dhe më të rrezikshme.

Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Koperniku, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në planet, me temperatura që janë rritur dyfish krahasuar me mesataren globale që nga vitet 1980.

Muajin e kaluar, një tjetër zjarr masiv që përfshiu portin jugor të Marsejës shkaktoi rreth 300 të plagosur, ndërsa autoritetet përballen me sfida të mëdha në mbrojtjen e jetëve dhe mjedisit në këtë verë të pazakontë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestuesit e Gjeneratës Z në Indi detyrojnë largimin e një ministri, por çfarë vjen më pas?

Gjatë 12 viteve të qeverisjes së Narendra Modit në Indi, vetëm një ministër i kabinetit kishte dhënë dorëheqjen më parë, dhe kjo për shkak të...
09:25 | 27/07/2026

Merz do të propozojë Steffen Bilger si ministër të ri të transportit

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të propozojë që drejtori konservator parlamentar Steffen Bilger të zëvendësojë Patrick Schnieder si ministër i transportit, si pjesë e një...
20:40 | 26/07/2026

Mali i Olimpit shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

UNESCO ka përfshirë malin Olimp të Greqisë në Listën e Trashëgimisë Botërore, duke njohur malin më të lartë të vendit për vlerën e tij të...
19:38 | 26/07/2026