Shkrirja magjike e tingullit të thellë të violonçelit me atë të ëmbël dhe ritmik të pianos ndihet në këtë sallë të vogël në kontrast me madhësinë e veprave që dy artistet e reja të Teatrit të Operas po përgatisin të luajnë.
Violonçelistja Jona Çegrani dhe pianistja Herta Cane janë prezantuar që në moshën 6-vjeçare me instrumentet, të cilat janë bërë pjesë e pandashme e çdo ditë të tyre.
“Unë sapo kam filluar punë në Teatrin e Operas dhe Baletit, nuk kam bërë ende një vit. Mu kërkua për të bërë një koncert recital dhe e menduam bashkë me pianisten dhe me drejtoreshën artistike që ta nisim koncertin me një sonatë të Betthoven meqë është edhe viti i tij, për të vijuar me Prokofievin. Për mbyllje kemi menduar një romancë të Scriabin për të lënë një shije të këndshme të koncertit”, tregon Jona Çegrani.
Pavarësisht se hapësira për pianon dhe violinën është më e gjerë në treg, Jona ka ndjekur gjurmët e prindërve të saj, duke u bërë vilonçeliste.
“Kam qenë për rreth tre vite jashtë vendit, kam bërë masterin në Norvegji. Sfiduese është kudo, në çdo profesion dhe sidomos për ne muzikantët”
Herta, intepretuesja në piano në këtë shfaqje me muzikë dhome, ka zgjedhur institucionin simbol të muzikës klasike, Pallatin e Operas dhe Baletit për të dhënë kontributin e saj. Ajo e vë theksin te sintonia e plotë që ndihet në marrëdhënien me dy instrumenteve.
“Vetë instrumentet, piano dhe violonçelo krijojnë një shkrirje organike me njëri-tjetrin dhe kanë një marrëdhënie shumë speciale si instrumente, tingëllojnë shumë bukur. Deri më tani shohim që interpretimi ynë dhe marrëdhënia në interpretim është shumë e mirë”.
Klasikët në Duo do të shfaqet më 7 Mars në Liceun Artistik Jordan Misja.