Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin, i akuzuar si porositës i vrasjes së komisarit Artan Cuku.
Përveç Jambellit, prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm edhe për Kristaq Lecin, ndërsa i dënuar për këtë ngjarje është autori i vrasjes, Mikel Shallari, i cili, pasi u arrestua, pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë.
Ata akuzohen për veprat penale të “Vrasjes së punonjësve të policisë së shtetit” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”, lidhur me vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cukut.
Procesi po zhvillohet në mungesë për të dy shtetasit, të cilët nuk u ekstraduan në Shqipëri, megjithëse u ndaluan nga autoritetet greke, por më pas u liruan.
Bledar Jambelli është arrestuar më pas përsëri dhe aktualisht ndodhet në burg në Greqi për një ngjarje të vitit 2022, ku mbetën të plagosur pesë persona, ndërsa vendndodhja e Kristaq Lecit nuk dihet.
Hetimet zbuluan se Bledar Jambelli i cili kishte precedentë penalë dhe ishte në kërkim që nga vitet 2000, kishte përgatitur vrasjen në shenjë hakmarrjeje ndaj ish-drejtorit Cuku, pasi në vitin 2012 ishte hetuar dhe më pas liruar në një rast të vrasjes së dy shtetasve në Vlorë.
Sipas prokurorisë, Bledar Jambelli bashkëpunoi me Kristaq Lecin i cili pajisi një person tjetër, Mikel Shallarin me armë për të kryer atentatin, duke i premtuar edhe pagesë dhe arratisje në Gjermani.
Sipas Prokurorisë Mikel Shallari qëlloi Artan Cukun me të paktën tetë plumba dhe më pas u arrestua, duke bashkëpunuar me drejtësinë dhe u dënua me dhjetë vite burg.
Sipas hetimeve, Kristaq Leci akuzohet se pajisi me armë autorin Mikel Shallari dhe e ndihmoi në ditën e vrasjes duke ndjekur nga larg viktimën dhe duke e marrë në vëzhgim.
Komisar Artan Cuku u vra në orët e vona të datës 8 prill 2017, në pallatin e tij në Tiranë, në zonën pranë liqenit artificial.
“Prokuroria vlerëson se vrasja u krye me paramendim dhe me motive hakmarrjeje, ndërsa për këtë arsye kërkon dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin”.

Njoftimi i plotë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon burgim të përjetshëm për shtetasit B.J. alias B.M. dhe K.L. alias G.K. për veprat penale ‘Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga anent 79/b dhe 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e procedimit penal nr.139/2017, rezultoi se i pandehuri B.J. një person me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe në ndjekje nga organet hetimore dhe policore prej viteve 2000, në vitin 2012 u hetua nga Shërbimet e Policisë në Drejtorinë Vendore Policisë Vlorë për ngjarje të rënda kriminale konkretisht vrasjes së shtetasve Sh.M. dhe E. Sh. dhe falë punës hetimore në kohën që kjo Drejtori drejtohej nga i ndjeri A.C., u arrestua dhe hetua për këto fakte penale të rënda të citura më sipër, por më pas gjatë procesit gjyqësor doli i pafajshëm dhe u lirua.
Pikërisht për këtë shkak, në vitin 2017 shtetasi B.J. në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e ish-Drejtorit Policisë Vlorë. Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me shtetasin K. L. dhe për të realizuar vrasjen takoi edhe shtetasin M. Sh., të cilit iu premtua pagesë reth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin. Shtetasi K.L. e pajisi shtetasin M.Sh., me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim.
Shtetasi M.Sh e gjuajti të paktën 8 herë viktimën duke lënë në vendngjarje pa shenja jete. Ky shtetas u ndalua menjëherë dhe pas arrestimit nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me drejtësinë. I pandehuri M.Sh. u dënua me dhjetë vjet burgim pasi pranoi akuzën dhe faktin penal, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u pendua për krimin e kryer duke i kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës.
Nga hetimet rezultoi provuar tej çdo dyshim arsyeshëm se vrasja u krye me dashje në formën e paramendimit e shtyrë nga motive hakmarrje dhe për motive përfitimi të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Këta tre persona bashkëpunuan në drejtimin e B.J. për vrarë A. C. si qëllim final, të shtyrë nga motive ndryshme. Organizuesi këtij bashkëpunimi ka pasur qëllim hakmarrje, ndërsa ndihmësi ka pasur qëllimin për ndihmuar shokun e tij dhe njëkohësisht djalin e hallës M. Sh. për të përfituar holla dhe e ndihmoi në kryerjen vepres penale, ndërsa M. Sh. kishte interesin përfitimit material në këtë bashkëpunim dhe për pasojë të tre kryen vrasjen e ish drejtorit të Policisë Vlorë.
Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kërkoi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit B. J. për vepren penale “ Vrajse e punonjëseve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetëshëm; dhe deklarimin fajtor të të pandehurit K.L. për vepren penale “Vrajse e punonjësve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetëshëm.
LEXONI GJITHASHTU:
- Vrasja e komisarit Artan Cuku, nis gjyqi në mungesë për Bledar Jambellin
- “Organizatori e shkruante emrin në mure”- Karamuço: Si u paralajmërua vrasja e Cukut