Vuçiç shpall krijimin e “ushtrisë dixhitale”, flasin analistët serbë: Propagandë

24 Tetor 2025 | 14:34

Deklaratat e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç se Forcat e Armatosura Serbe (FAS) kanë siguruar pajisje “super sekrete”, aq sekrete sa “më së shumti pesë persona” e dinë dhe njoftimi për krijimin e të ashtuquajturës “ushtri dixhitale”, për kritikët e tij janë prova të qarta të marrëveshjeve korruptive dhe të injorancës së plotë të presidentit për mënyrën se si funksionon ushtria shkruan Al Jazeera.

Sipas analistit ushtarak Aleksandar Radiç dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FAS, tashmë opozitarit Zdravko Ponos, këto deklarata nuk janë gjë tjetër veçse propagandë politike.

Ponos thekson se “asnjë procedurë prokurimi për Forcat e Armatosura nuk parashikon një mekanizëm që përfshin vetëm pesë persona, njëri prej të cilëve është presidenti i shtetit, që nuk ka asnjë autoritet ligjor në këtë proces.”

Sipas tij, nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të thoshte se “pesëshja e Vuçiçit” vendos se çfarë blen ushtria, me çfarë çmimi dhe ku ruhet, gjë që tregon qartë korrupsionin.

“Ushtria nuk përdor asgjë të lirë. Nëse pak njerëz janë përfshirë në blerje, atëherë diçka e paligjshme po ndodh pas saj,” tha Ponos, duke shtuar se njerëz joprofesionistë po marrin vendime pa ndonjë procedurë të qartë.

Ai ironizoi edhe deklaratat për “armët sonike”:
“Më intereson cili prej tyre shtypi butonin. Nuk do të thoja se ishte Vuçiç. Ai është teknikisht analfabet, është rrezik edhe kur ndez dritën.”

Analisti Radiç shpjegon se Serbia nuk ka dokumente publike për drejtimin e modernizimit të ushtrisë:

“Çdo gjë është e klasifikuar. Zyrtarët thonë se blerjet janë planifikuar, por kanë gënjyer aq shumë herë sa nuk ka arsye për t’u besuar. Asnjë tender nuk është zhvilluar që nga viti 2016, dhe blerjet bëhen përmes kontratave të drejtpërdrejta.”

Sipas tij, e gjithë kjo shërben për spektakël politik:
“Vetëm ekskluziviteti i prezantimit ka rëndësi, jo siguria e vërtetë.”

“Ushtria dixhitale? Një frazë që Vuçiç nuk e kupton”

Ponos sqaron se Vuçiç përdor termin “ushtri dixhitale” pa e ditur kuptimin:
“E dëgjoi këtë shprehje në një takim ushtarak dhe e përdori për t’u dukur i zgjuar. Në realitet, bëhet fjalë për integrimin e inteligjencës artificiale në sistemet luftarake, diçka që Serbia është shumë larg ta realizojë.”

Të dy analistët janë të qartë: Serbia nuk përbën kërcënim real për fqinjët e saj.
“Rajoni është i lodhur nga lufta. Askush nuk ka as vullnet as gatishmëri për konflikt. Armatosja e Serbisë shërben vetëm për nevoja politike të brendshme,” thekson Ponoš.

Radiç kujton se pothuajse të gjithë fqinjët e Serbisë janë anëtarë të NATO-s, gjë që garanton siguri në rajon, ndërsa Serbia vetë blen armatim nga vende të aleancës, çka e bën të pamundur përdorimin e tyre kundër saj.

“E gjithë kjo është një luftë hibride ndaj opinionit publik të brendshëm – një propagandë që synon ta bindë popullin se Serbia po forcon ushtrinë, ndërsa në fakt po ndërtohen lidhje të errëta politike jashtë vendit,” përfundon Radiç.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Giorgia Meloni: Nuk kam qenë e nënshtruar dje dhe as antiamerikane sot

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se nuk ka mbajtur asnjëherë një qëndrim antiamerikan, duke theksuar se beson në një Perëndim të bashkuar. Në një...
21:53 | 29/06/2026

BE dhe Kina bien dakord, nisin bisedimet tremujore mbi deficitin tregtar prej 360 miliardë eurosh

BE-ja dhe Kina kanë rënë dakord të hyjnë në bisedime tre-mujore për të shmangur një luftë tregtare për shkak të çekuilibrit vjetor të importit/eksportit të bllokut prej...
21:30 | 29/06/2026

Gjermania përpiqet të ndalë mbylljen e fabrikave të Volkswagen, në rrezik deri në 100 mijë vende pune

Qeveria gjermane synon të pengojë mbylljen e fabrikave të Volkswagen në vend, ndërsa ka bërë të qartë se vendimi përfundimtar i takon vetë kompanisë dhe...
19:56 | 29/06/2026