Vuçiç takon Sorensen: Dialogu me Kosovën të përqendrohet te Asociacioni
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas një takimi në Beograd me të dërguarin special të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, theksoi rëndësinë e rikthimit të dialogut me Kosovën në çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe garantimin e të drejtave të serbëve në Kosovë.
“Politika jonë mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe kërkimit të zgjidhjeve kompromisi, por jemi po ashtu të vendosur për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare,” u shpreh Vuçiç në rrjetet sociale më 26 gusht.
Ai e konsideroi shqetësuese përpjekjen për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, duke thënë se kjo rrezikon të drejtat themelore politike të komunitetit serb.
Vuçiç njoftoi se me Sorensenin zhvilluan një bisedë të hapur mbi sfidat në dialogun me Prishtinën dhe situatën e serbëve në Kosovë. Pas këtij takimi, Sorensen pritet të takojë edhe Petar Petkoviçin, drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Vizita e Sorensenit në Beograd vjen pas takimeve në Prishtinë më 6 gusht, ku me udhëheqësit kosovarë diskutoi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të arritur në vitin 2023. Edhe pse e panënshkruar, BE-ja e konsideron këtë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Dokumenti prej 11 nenesh parashikon, ndër të tjera, vetëqeverisje për komunitetin serb në Kosovë, njohje të simboleve shtetërore dhe mosbllokim të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare nga Serbia.
Raundi i fundit i dialogut u zhvillua më 10 qershor në nivel kryenegociatorësh. Sipas Sorensen, përgatitjet për një takim të nivelit të lartë janë në proces, megjithëse një takim i tillë nuk është mbajtur që nga shtatori i vitit 2023 — pak para incidentit në Banjskë, ku u sulmua policia e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur. Kosova akuzon Serbinë për përfshirje në këtë ngjarje, ndërsa Beogradi mohon çdo përgjegjësi.
Vizita e Sorensen ndodh në një kohë të tensionuar në Serbi, mes krizës politike dhe protestave të gjera pas shembjes së çatisë së Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, që shkaktoi 16 viktima. Përveç kërkesave për përgjegjësi institucionale, protestuesit kërkojnë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare – kërkesë që autoritetet deri tani e kanë refuzuar.
KQZ certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë
Gjykata Supreme rrëzon ankesat, hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve në Kosovë
Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë