Zbulohet Adria e Madhe, kontinenti i zhdukur nën Evropën e sotme Jugore

24 Shtator 2019 | 10:16

Shkencëtarët kanë zbuluar një kontinent të fshehur në Tokë, gjatë rindërtimit të evolucionit të gjeologjisë komplekse të rajonit të Mesdheut, të njohur për vargmalet e larta sikurse për ultësirat bregdetare nga Spanja deri në Iran.

Kontinenti i zhdukur ka qenë i njohur si Adria e Madhe, përmasat e të cilit i përafroheshin atyre të Groenlandës së sotme. Ai u shkëput nga Afrika e Veriut për t’u zhdukur rreth 140 milionë vite më parë nën territoret e sotme të Evropës Jugore, përfshi Shqipërinë.

“Harrojeni Atlantisin, – thotë Douwe van Hinsbergen, autori i studimit dhe profesor i paleogjeografisë dhe tektonikës globale në Universitetin e Utrehtit. – Sigurisht pa e kuptuar, një numër i madh turistësh kanë kaluar pushimet çdo vit në kontinentin e zhdukur të Adrias së Madhe”.

Studimi është publikuar këtë muaj në revistën shkencore “Gondwana Research”. Kërkimet për evolucionin e vargjeve malore sjellin të dhëna të konsiderueshme për evoluimin e kontinenteve.

“Shumica e vargmaleve të studiuara prej nesh e kanë pasur origjinën në një kontinent të vetë, i cili u shkëput nga Afrika e Veriut më shumë se 200 milionë vite më parë. E vetmja pjesë e mbetur nga ai kontinent është rripi i tokës nga Torino, e shtrihet përgjatë Adriatikut deri në fundin e ‘çizmes’ së Italisë, apo rajonit të Puglias”, shpjegon më tej Van Hinsbergen.

Kjo zonë njihet nga gjeologët si Adria, ndaj kërkuesit e këtij studimi i referohen kontinentit të pazbuluar si Adria e Madhe. Në rajonin e Mesdheut, gjeologët kanë interpretime të ndryshme mbi pllakat tektonike. Kur flitet për këto pllaka, bëhet fjalë për teorinë sesi janë formuar oqeanet dhe kontinentet. Kjo teori sugjeron se pllakat tektonike nuk deformohen apo preken mes tyre kur lëvizin përkrah njëra-tjetrës në zona me linja të gjera shkarjesh. Por, Turqia dhe Mesdheu përbëjnë përjashtim.

“Kemi të bëjmë me një rrëmujë gjeologjike, pasi çdo gjë është e lakuar, e thyer apo e bërë pirg. Krahasuar me këtë rajon, Himalajet për shembull përfaqësojnë një sistem më të thjeshtë. Atje mund të ndiqen disa linja të gjata pllakash për një distancë prej 2.000 km”, thotë studiuesi Van Hinsbergen.

Në rastin e Adrias së Madhe, pjesa më e madhe e saj ka qenë nën ujë, e mbuluar nga dete të cekëta, barriera koralore dhe sedimente. Sedimentet formuan më pas shkëmbinj që u shkëputën duke krijuar diçka të ngjashme me algat, kur Adria e Madhe nisi të zhdukej nën mantelin e Evropës së sotme Jugore. Këto shkëmbinj të shkëputur ishin baza për krijimin e vargmaleve që njohim sot në këto zona, si Alpet evropiane, Apeninet, malet e Ballkanit, Greqisë dhe Turqisë.

Rindërtimi i evolucionit të vargjeve malore në Mesdhe kërkoi bashkëpunim, pasi mbuloi më shumë se 30 shtete, me secilin prej tyre që kontribuoi me studimet e veta gjeologjike, harta dhe idetë ekzistuese mbi formimin e tyre, thonë shkencëtarët.

Studiuesit zbuluan se Adria e Madhe nisi të bëhej kontinent më vete rreth 240 milionë vite më parë gjatë periudhës triasike të erës mesozoike. Kjo nuk është hera e parë që zbulohet një kontinent i zhdukur. Në janar të vitit 2017, shkencëtarët njoftuan zbulimin e një tjetër kontinenti të shkëputur nga “superkontinenti” Gondwana, i cili nisi të shpërbëhej rreth 200 milionë vite më parë. Pjesa e mbetur i përket vendndodhjes së ditëve të sotme të Mauritius, një ishull në oqeanin Indian. Ndërsa në shtator të vitit 2017, një tjetër ekip kërkimor zbuloi kontinentin e Zealandias në Paqësorin Jugor.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Inteligjenca artificiale kthehet në “asistent blerjesh” online

ChatGPT do të ketë së shpejti mundësinë të kryejë blerje online në emër të përdoruesve, falë një partneriteti të ri mes OpenAI dhe Visa. Teknologjia...
18:02 | 12/06/2026

Studimi: Arti dhe kultura mund të ngadalësojnë plakjen biologjike

Një studim i ri i zhvilluar në Londër ka zbuluar se angazhimi i rregullt në aktivitete artistike dhe kulturore mund të ndihmojë në ngadalësimin e...
14:15 | 12/05/2026

“Jam goca që thyen kockat”, akrobatja 17-vjeçare: Më thonë a ke hequr brinjët!

Enxhi Bardhi, vetëm 17 vjeç, është një akrobate e talentuar që po spikat me përkushtimin dhe disiplinën e saj në ushtrime dinamike. Ajo synon ta...
17:35 | 29/04/2026