Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi janë kthyer në një fenomen të zakonshëm politik.
Në 33 vjet sistem multipartiak u formuan 17 qeveri, por vetëm tre prej tyre shërbyen përgjatë gjithë mandatit.
Masakra në një shkollë fillore, një tjetër në periferi të Beogradit, si dhe tensionet me Kosovën janë motivet për matjen e re të pulsit politik.
“Qeveritë e viteve ’90 ishin të paqëndrueshme për shkak të arsyejeve konkrete politike si luftërat, krizat dhe konsensusi shoqëror. Ndërsa pas vitit 2000 ato kanë rënë nga paaftësia për të formuar koalicione të qëndrueshme”, tha Dejan Bursać, nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale.
E njëjta praktikë vazhdoi edhe pasi Aleksandar Vuçiç erdhi në pushtet. Edhe pse gjatë kohës së tij qeveritë patën një stabilitet të theksuar, analistët thonë se ato dështuan kryesisht për shkak të dëshirës për të kapitalizuar popullaritetin në elektorat, ose për shkak të nevojës për të mbështetur partinë në nivel lokal përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Që kur Partia Progresive Serbe erdhi në pushtet në 2012-ën, në Serbi janë mbajtur 4 zgjedhje të jashtëzakonshme dhe një e rregullt. Me pak fjalë, në vend të mandatit kushtetues prej 4 vitesh, Parlamenti dhe Qeveria kanë punuar mesatarisht për dy vjet e 4 muaj.
Në sesionin aktual parlamentar, koalicioni qeverisës kontrollon 2 të tretat e Parlamentit, ndërsa një e treta e vendeve i përket opozitës, konkretisht partisë sa pro-evropiane aq edhe euro-skeptike të udhëhequr nga Dragan Djilas, ish-kryebashkiak i Beogradit. Por pavarësisht situatës së qartë politike, Serbia po shkon sërish në zgjedhje.
“Mua më duket se më tepër sesa protestat e mbajtura pas dy masakrave në maj, njoftimi për zgjedhjet u influencua më shumë nga incidenti i ndodhur në Banjskë. Në këtë mënyrë, Aleksandar Vučić po përpiqet të parandalojë kritikat lidhur me çështjen e Kosovës. Si opozita edhe partitë në pushtet do të merren me zgjedhjet, komuniteti ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë shumë në proces dhe Vučić mendon se me fitoren e tij do të sigurojë sërish legjitimitetin për të qeverisur, ndërsa krizat e vjetra do të harrohen”, tha Dejan Bursać nga Instituti për Filozofi dhe Teori Sociale.
Krahas zgjedhjeve parlamentare, zgjedhje të jashtëzakonshme lokale do të mbahen edhe në 65 bashki dhe qytete, përfshirë në provincën e Vojvodinës, ku do të votohet më 17 dhjetor. Sipas sondazheve, qeveria është më popullore se opozita në shumicën e bashkive, edhe pse gara më e paparashikueshme pritet të mbahet për kryeqytetin, Beogradin.
LEXONI GJITHASHTU:
- Zgjedhjet në Serbi, Analisti: Vuçiç do vjedhë vota, do shpërthejnë protestat masive
- A do e njohë Serbia Kosovën? Eksperti: Do e bëj Vuçiç dhe do fitojë zgjedhjet