English

Zv. Kryeministri Braçe: Ndryshimi i pagës minimale s’mjafton, PS duhet të bëjë më shumë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Zv. Kryeministri, Erion Braçe në një intervistë për Euronews Albania, ka folur për akuzat e Presidentit të Republikës lidhur me favorizimin e oligarkëve me ligjin e dividentit si dhe për ndryshimin e pagës minimale në 30 mijë lekë.

- Advertisement -

Z. Braçe u shpreh se ligji i dividentit nuk ka efekt prapaveprues siç pretendon Ilir Meta dhe nuk ka favorizuar një grup njerëzish por kanë përfituar mbi 4 mijë kompani. Ai theksoi se, është një nga të vetmit deputetë të Partisë Socialiste që nuk e ka votuar këtë ligj, pasi kërkon që taksimi të jetë progresiv dhe me një deklarim të vetëm vjetor për të ardhurat.

“E njoh që të vogël dhe i lexoj të gjitha çfarë thotë presidenti. I vetmi që nuk e ka votua ligjin jam unë. Presidenti nga pikëpamja formale gënjen. Ia kam dërguar të gjitha provat dhe faktet dhe përsëri gënjen. Nuk ka efekt prapaveprues. 4100 kompani kanë përfituar. Oligarkë janë këta? As te përgjegjësit nuk përmend dot emrin Meta dhe as oligarkët? Kaq oligarkë nuk janë as në Rusi”, deklaroi z. Braçe.

Duke shpjeguar pse ka votuar kundër për këtë ligj, zv. Kryeministri tha se, kërkonte t’i qëndrohej zotimit të bërë në Kongresin e PS-së për tatim progresiv.

“Nuk jam nga ata që fshihem, kam procesverbalin e Kongresit të PS ku zotohemi për tatim progresiv. Është bërë debat në Parlament që mbledhja e të ardhurave të ishte në një dhe më pas të tatohej në mënyrë progresive. Të gjitha të ardhurat nuk duhen tatuar veç e veç, por në një deklarim vjetor të të ardhurve. Presidenti është në krahun e të pasurve në këtë vend dhe nuk e ka kurajën ta bëjë këtë debat”, tha më tej deputeti socialist.

Z. Braçe nuk e mohoi se ka munguar në Kongresin e fundit të PS-së, madje ai nuk kurseu as kritikat për një nga zotimet e bëra nga Kryeministri, Edi Rama për ndryshimin e pagës minimale. Ai tha se, vendosja e pagës minimale në 30 mijë lekë praktikisht në realitet nuk do të ndryshojë asgjë. Zv. Kryeministri tha se në administratë janë më pak se 1 mijë persona që kanë një pagë nën këtë nivel, ndërsa për sektorin privat tha se paga minimale po përdoret për efazion fiskal të pagave dhe sigurimeve shoqërore.

“Ata që mbrojnë idenë e një page minimale prej 30 mijë lekësh duhet të vijnë në Divjakë dhe të kuptojnë që nuk ka më pagë minimale 30 mijë lekë.  Ata bujq që punojnë sot në Divjakë, marrin 45 mijë lekë në muaj.  Dua që PS të diskutojë shumë për punën si e drejtë themelore, jo thjesht për pagën minimale. Ata që diskutojnë për pagë minimale, nuk ka pagë minimale 30 mijë lekë. Duhet folur për të rinjtë, për taksat e punës, për sigurinë publike. Jam marrë gjerësisht me pagën minimale, në administratë mund të jenë 800-900 rroga ose pak më tutje. Paga minimale është referencë për taksimin. Paga minimale po përdoret për evazionin fiskal të pagave dhe tatimin. Që të shmanget kjo do të duhej të shkonim drejt pagave reale dhe  të rritet presioni i administratës fiskale mbi kompanitë që gënjejnë për pagat”, theksoi z. Braçe.

Më tej zv. kryeministri tha se, ka shumë kompani që gënjejnë në deklarimin e pagave. Për këtë ai iu referua sektorit të fasonerisë, duke thënë se aktualisht nuk ka asnjë punonjës që paguhet nën 30 mijë lekë por deklarimi është më pak. Për këtë z. Braçe kërkoi që të bëhet më shumë nga administratë fiskale.

Z. Braçe tha se, vijon të kryejë inspektime në administratën publike, duke thënë se tani nuk ka guxim njeri që të shkojë në zyrë me qenin apo të pijë puro. Ai nënvizoi se janë shënuar arritje, dhe këto janë pasqyruar dhe në raport-progresin e BE. Si problem ai veçoi, vendimet e gjykatave që rikthejnë të larguar nga administrata.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?