Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në shumë sektorë në Vlorë vijon të mbetet aktuale edhe sot, jo vetëm në sektorin e turizmit.
Ndërsa në zyrën e punës shifrat flasin për një numër të lartë të punëkërkuesve, ata shpesh nuk pranohen nga biznesi për shkak të mungesës së kualifikimit.
“Aktualisht kemi 2938 punëkërkues të papunë dhe punëkërkues 1427 ndërkohë në databazën tonë janë edhe 6000 punëkërkues të cilët kanë marrë shërbim më parë nga ne. Unë do të veçoja këtu shërbimet bazë ku për këtë 6 mujor synojmë t’u japim formim profesional rreth 443 punëkërkuesve të papunë të cilët e përfitojnë këtë shërbim falas,” – tha Saniela Xhaferraj, drejtoresha e Zyrës së Punës në Vlorë.
Në qendrën e formimit profesional aktualisht funksionojnë 25 kurse për profesione të ndryshme.
“Kërkesat më të shumta i kemi për parukeri, estetik, manikyr , kuzhinë, elektrik ndërkohë që kemi kërkesa në rritje për hoteleri, bar restorant, picajol që kërkon tregu duke parë që qyteti i Vlorës çdo ditë e më shumë po fiton një zhvillim të madh turistik,” – tha drejtori i Qendrës së Formimit Profesional, Ergys Alushi.
Në disa nga kurset e ofruara në qendër kërkesat janë të larta sidomos nga gratë.
“Kërkesat janë shumë të mëdha dhe vazhdojnë të jenë akoma, sepse mësimdhënia është e një niveli shumë të mirë, vajzat kanë mundësi edhe për të hapur një punë të tyre dhe për t’ u punësuar në një qendër estetike. Mosha nga 16 vjeç kam pasur edhe 56 vjeç, pra kërkesa nga mosha të ndryshme, vajzat shumë të interesuara, rezultatet i kemi parë në vite,” – tha instruktorja, Rudina Gori.
“Unë kam filluar kursin në fillim të prillit kur u hap, dëshira ka qenë shumë e madhe , kam aplikuar që para pesë vjetësh, por u bëra mami dhe s’kisha mundësi të vija por dëshira ka qenë e madhe. E kam bërë edhe për pasion, më pëlqen shumë,” – tha një kursante.
“Janë të interesuar studentë të degëve të ndryshme, të gjuhë- letërsisë, të drejtësisë, të ekonomikut. Ka pasur kursantë që janë edhe punësuar. Ka pasur edhe djem, te ky grup s’kam por ka pasur edhe djem të interesuar, tha instruktorja e Sekretarisë, Alketa Mucohasanaj.
Mungesa e profesionalizmit i ka orientuar bizneset, kryesisht turistike, të marrin punonjës të huaj edhe pse ata kanë kosto më të lartë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Gjendet një gomone në Babicë të Vlorës, dyshohet se do përdorej për trafik droge
- Bllokohen 2 Jet Ski dhe 1 gomone, policia shton kontrollet në Vlorë