Fishekzjarret dhe fesat e zhurmshme gjatë orëve të natës janë kthyer në shqetësim për banorët.
Gjatë 4 muajve të fundit në Tiranë ka pasur më shumë se 1 mijë ankesa nga qytetarët. Policia thotë për Euronews Albania se ka referuar në prokurori 17 raste për prishje të qetësisë.
Hedhja e fishekzjarreve në orët e vona të natës, si dhe zhurmat e larta janë kthyer në shqetësim për shumë qytetarë. Numri i ankesave drejtuar Policisë së Shtetit, vetëm për 4 muajt e parë të këtij viti janë 1120 të tilla.
Shumcia prej tyre vijnë nga familjarë që banojnë pranë zonave të mbipopulluara me lokale, bar kafe dhe restorante. Sipas të dhënave të marra nga Euronews Albania në Policië e Shtetit, telefonatat janë kryesisht për muzikë të lartë dhe për fishekzjarre.
Për 17 prej këtyre rasteve, janë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Në nëntor është firmosur marrëveshja e përbashkët mes 3 ministrive, asaj të Brendshme, të Turizmit dhe Shëndetësisë për ndalimin e zhurmave në zonat e banuara.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se marrëveshja parashikon dakordësim për ndalimin e zhurmave nga lëndët piroteknike apo fishekzjarrët, si dhe gjobë deri te mbyllja e aktivitetit për subjektet.
LEXONI GJITHASHTU:
- Tinitus e njohur si “zhurma në vesh”, prek rreth 10% të popullsisë, shenjat e para
- Zhurma për zgjedhjet në Serbi, politikani serb: Po fitojnë kohë me ndërkombëtarët