English

16 serbë u ndaluan nga autoritetet në Kosovë, reagon Beogradi

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se autoritetet kanë ndaluar 16 persona, duke thënë se në mesin e tyre kishte edhe “oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë”. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se personat e ndaluar po vizitonin manastiret përreth Prizrenit.

- Advertisement -

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla se ndalimi i tyre u bë gjatë një operacioni të zhvilluar më 5 dhe 6 prill, duke shtuar se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara me targa nga Kragujevci, qytet në Serbi.

Grupi i parë, sipas tij, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Ndërkaq, 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, shkroi Sveçla.

Sipas tij, grupit të parë të ndaluar në Gjakovë, ndal të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48-orësh, gjatë kontrollit të makinës me të cilin po udhëtonin iu gjetën “fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative”.

Për ndalimin e katër personave në Gjakovë ka raportuar edhe Policia e Kosovës, por edhe në njoftimin për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të mbajtur të dielën, është përmendur ky rast.

Ministri në detyrë Sveçla, ndërkaq, pretendoi se 12 personat e ndaluar në Prizren, “po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë”.

“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, u shpreh Sveçla.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se personat e ndaluar kishin shkuar për të vizituar Seminarin Teologjik dhe manastiret përreth Prizrenit.

“Imagjinoni, disa nga këta persona janë edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë, dhe pastaj u kanë gjetur, thonë, një thikë dhe një sëpatë të thyer, është krejtësisht e qartë se nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përveç për ndonjë përdorim privat dhe nevoja personale”, u shpreh Vuçiq më 6 prill.

“Dhe, kjo ju tregon çfarë terrori po vazhdon ndaj serbëve”, shtoi ai.

Udhëheqësi i Ministrisë së Brendshme të Kosovës, ndërkaq, deklaroi se bazuar në hetimet paraprake të organeve të rendit të Kosovës, një nga të ndaluarit është “konfirmuar se është zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor”, i cili, siç pretendoi Sveçla, “ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka ‘Gandi’”.

“Ky i fundit është i afërt i Vlladimir Radivojeviç, nofka ‘Mami’, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bart gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Millanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, tha Sveçla.

Emri i Vlladimir Radivojeviçit është përmendur edhe më herët nga autoritetet e Kosovës, dhe është lidhur me sulmin në Banjskë të Zveçanit kundër Policisë së Kosovës, të kryer në shtator nga një grup i serbëve të armatosur.

Më 29 shtator të vitit 2023, Policia e Kosovës e bastisi shtëpinë e Radivojeviçit në Zveçan. Ai besohet se është udhëheqës i një grupi tifozësh të klubit të futbollit Crvena Zvezda.

Bastisjet në shtëpinë e Radivojeviçit ishin kryer në aksionin e njëjtë policor, kur u bastisën pronat e Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë të Zveçanit, kur u vra polici Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit në Manastirin e Banjskës, u vranë edhe tre sulmues serbë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?